Editorial

Qeveria tranzitore dhe problemi etik që kemi me të

Nga marrëveshja e natës së gjatë të 17 majit e deri tek kutitë e votimit të 25 qershorit, tre vjet më parë, politika shqiptare harxhoi kohë dhe energji boshe për disa arnime në listat e zgjedhësve (sepse problemi nuk u zgjidh), për gjetjen e gjashtë ministrave teknikë (që më pas u anatemuan), për marrjen nga opozita të pesë drejtorive në vend (që u hoqën me vrik pas zgjedhjeve), e deri tek debati për kryetarin e KQZ-së (që ende risillet…)

Pra, stërzgjatje në kohë fushate për rotacion emrash ku problemet më shumë u mahisën sesa u zgjidhën, ku deformimi i votës sërish u denoncua, ku politika u bë më shumë emotive sesa racionale, ku u fol për politikë “tepsie” e jo zgjidhje, e ku në fund të fundit vendimet e një qeverie (me mandat katër vjeçar) i morën jo kompetentët…

A di kush të thotë se çfarë u fiksua nga alternativa qeverisëse plot tre vjet më parë?

A di kush të thotë se, sa të aftë ishim vetë ne për t’i bërë radiografinë realitetit politik, social dhe ekonomik kur shkuam në kutitë e votimit, e kur deri në atë moment ishim bombarduar me informacione bajate deri të tipit; se kush mungonte një ditë në punë nga administrata merrte masë disiplinore (pasi punonte për partinë…)  

A krijuan njerëzit në kokë një mendim mbi legjitimitetin e qeverisjes kur dukshëm u zhbë në një natë të nxehtë maji vetëm për të nxjerrë opozitën nga çadra?

A u qartësuam më shumë nga ajo fushatë, me atë bashkëqeverisje, se kush e meriton të na udhëheqë?

A kuptuam më shumë mbi lirinë, të drejtat që duhet të kemi, mbi punësimin, mbi shtetin, demokracinë, përfaqësimin?

A fituam një proces me racional dhe të qëndrueshëm para zgjedhor?

A fituam një komunikim politik të drejtpërdrejtë nga ata që kërkuan votën?

A prodhoi ajo fushatë më shumë lëvizje, ide, vullnet politik e produktivitet?

Në fund të fundit, ajo që na mundon prej vitesh në këtë vend, a shkuam më të lirë për të votuar? A u lexua vota jonë si duhet?

Pse duhet të rishohim një kronikë politike të paralajmëruar, vetëm tre vjet më parë? Kur zgjidhja nuk erdhi e kur bash opozita tha se ai proces dështoi...  

Sepse thelbi nuk ndryshon. Vetëm forma. Kërkohet një qeveri tranzitore. Sërish nga opozita. 100 ditë para çdo palë zgjedhje parlamentare deri sa vendi të bëhet anëtar i BE-së.

E njëjta situatë, të njëjtat pyetje…Pa përgjigje.

A thua fajin e kanë njerëzit apo sistemi që politika ka ngritur në këto tre dekada dhe vërtitet tek e njëjta histori në etapa delikate ( 1991, 1997, 2017) edhe kur jemi në prag fushate, por edhe një, apo dy vjet para saj...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë