Para

Qeveria, tender 370 mijë euro për të hetuar fondet e IPARD II. Kërkon auditues të jashtëm

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria shqiptare ka hapur një tender 370 mijë euro për të hetuar më tej shkeljet me fondet e IPARD.

Tenderi kërkon kontraktimin e një audituesi të jashtëm për të evidentuar korrupsionin dhe risqet ku janë ekspozuar fondet e Bashkimit Europian.

“Objektivi kryesor i këtij auditimi do të jetë identifikimi i risqeve ndaj të cilave mund të jenë ekspozuar fondet e BE-së për 4 thirrjet e Programit IPARD II, në kontekstin e përzgjedhjes së projekteve në lidhje me gjetjet e Raportit të OLAF; si dhe të ofrojë siguri të arsyeshme se përmirësimet e bëra në sistemet e menaxhimit të kontrollit të brendshëm parandalojnë shfaqjen e këtyre parregullsive në të ardhmen,” thuhet në dokumentat e tenderit.

Sipas dokumentit, audituesit do të rishikojë dhe hetojë të gjitha kontratat e IPARD II.

Lëvizja vjen pas muaj pasi OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit zbardhi të gjithë skemën korruptive me fondet IPARD brenda strukturës së AZHBR dhe ia referoi autoriteteve gjyqësore në Shqipëri.

OLAF, i quan serioze shkeljet që ka identifikuar në menaxhimin e fondeve të IPARD në Shqipëri, që kishin si qëllim modernizimin e bujqësisë shqiptare.

Aplikantëve shkruan OLAF, i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.

Pas këtyre gjetjeve OLAF thotë se i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.

Në verën e 2023-shit, për herë të parë, Bashkimi Europian njoftoi se ka bllokuar programin IPARD ëpr Shqipërinë, pasi gjeti shkelje dhe abuzime me fondet që duhet të ishin alokuar për fermerët shqiptarë në kuadër të procesit të integrimit.

Atëherë Krifca mohoi pezullimin e programit dhe nisjen e hetimeve, por tha se janë vonesa që BE i bën si “masa preventive kundër korrupsionit”.

Hetimi i OLAF në Shqipëri ka nisur që në vitin 2021 dhe atëherë u përfol se në godinën e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së pati një operacion ku u sekuestruan disa kompjutera, dokumente dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë