Politike

‘Qeveria teknike, një gënjeshtër e madhe e PD’, Dashamir Shehi: Na duhet një opozitë e re

Nga Gazeta Si - Megjithëse PD, zyrtarisht duket e qetësuar pas marrjes së vulës, deputetë brenda saj, që nuk pranojnë lidershipin e Sali Berishës dhe deputetë të partive të tjera opozitare po përpiqen të bëjnë një grupim të ri politik. Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, i zgjedhur deputet me listat e PD-së, beson se opozitës i duhet më shumë sesa një bllok tradicional, i udhëhequr nga PD-ja. “Në gjykimin tim, ka ardhur dita të rikompozohet opozita si ide, si formacion, si taktikë elektorale. Një grup që nuk identifikohet me Berishën dhe me Metën është i domosdoshëm për opozitën, nëse do që të jetë fituese e zgjedhjeve të ardhshme” tha Dashamir Shehi në një intervistë për Gazeta ‘Si’, ku foli për përpjekjet që po bën me Enkelejd Alibeajn për krijimin e një grupi të ri politik.

Pavarësisht suksesit ose jo të grupit, Dashamir Shehi thotë në intervistën për Gazeta ‘Si’ se të ardhmen e ka shumë të qartë, kur bëhet fjalë për ndonjë bashkëpunim me PD-në, siç është sot.

“Një gjë e kam të qartë: nuk kthehem tek grupi parlamentar i PD-së, sepse nuk e gjykoj si një akt që i shërben opozitës, edhe pse në atë grup janë shumica e deputetëve. Në gjykimin tim, ai nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mundur Edi Ramën, i cili është qëllimi ynë “ tha zoti Shehi, i cili beson se edhe strategjia politike e PD-së për të shkuar në zgjedhje me qeveri teknike, është krejt e gabuar. “Këtë kërkesë e klasifikoj tek narrativat e gënjeshtërta politike, një ide të parealizueshme, prandaj s’duhet shpenzuar kohë me të” u shpreh kreu i LZHK-së.

Gazeta Si: Si po shkon bashkëpunimi me  deputetin Enkelejd Alibeaj për krijimin e një grupi të ri parlamentar?

Dashamir Shehi: Është e vërtetë që ne po i bëjmë përpjekjet tona për të krijuar një grup parlamentar. Por më shumë sesa një grup parlamentar në kuptimin e grupit klasik që krijohet sipas rregullores së Kuvendit, do ta quaja një grup politik. Na duhet të jemi 7 deputetë për një grup parlamentar dhe zyrtarisht mund të funksionojmë si të tillë vetëm në janar, pasi të kalojnë 6 muaj nga deklarimi personal i secilit deputet. Pra, përtej regjistrimit ne na intereson mesazhi politik që jep grupi. Jemi 5-6 deri tani. Të shohim sa do të vlejë, a do të frymëzojë që të mbledhë rreth vetes më shumë deputetë, duhet më shumë kohë.

Megjithatë jam optimist. Një gjë e kam të qartë: nuk kthehem tek grupi parlamentar i PD-së, sepse nuk e gjykoj si një akt që i shërben opozitës, edhe pse në atë grup janë shumica e deputetëve. Në gjykimin tim, ai nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mundur Edi Ramën, i cili është qëllimi ynë. Në gjykimin tim, ka ardhur dita të rikompozohet opozita si ide, si formacion, si taktikë elektorale. Një grup që nuk identifikohet me Berishën dhe me Metën është i domosdoshëm për opozitën, nëse do që të jetë fituese e zgjedhjeve të ardhshme.

Gazeta Si: Ju thoni që jeni të gjithë opozitarë, por s’mund të bashkëpunoni me Berishën. Çfarë ju ndan me të?

Dashamir Shehi: Nuk kam ndonjë dyshim që të gjithë grupet në opozitë janë kundër Edi Ramës, kundër PS dhe korrupsionit që ka prodhuar qeverisja në këto 12 vjet. Por ne kemi dallime të rëndësishme politike, së pari, siç u bë e qartë me Kodin Zgjedhor. Unë kam marrë nismën e padisë së sistemit elektoral me lista të mbyllura në 1/3-ën e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Dallohemi edhe në raportin që kemi me drejtësinë e re. Së dyti, megjithë të metat, ne e shohim që ka një shpresë dhe diçka do të bëhet ndryshe dhe më mirë nga ajo që është bërë deri dje. Së treti, ne dallojmë edhe në raportin me ndërkombëtarët. Për ne është i dëmshëm qendrimi luftarak i PD me SHBA apo në disa raste, edhe me përfaqësues të BE. S’po hyj në detaje për ndasitë programore, si psh pronat, por po ndalem vetëm tek këto 3 pika themelore. Ka nga kolegët e mi opozitarë që më quajnë edhe tradhtar, por unë jam nga ajo kategori që e them mendimin tim hapur dhe s’më bën shumë përshtypje se i kam dëgjuar këto gjëra shumë shpesh.

Gazeta Si: Cila është pengesa kryesore për konkretizimin e nismës për krijimin e këtij grupimi tani që parlamenti ka nisur?

Dashamir Shehi: Nuk do të flisja për pengesa, por çdo gjë do kohën e vet. Unë po flas prej një viti për një ide të tillë dhe tani, mesa duket, po bëhen përpjekje reale, por të shohim konkretizimin. Ajo që mua më duket më e rëndësishme është nëse, brenda këtij grupimi opozitar që po krijojmë, jemi ne të zotë të gjejmë një kombinim të mirë për të marrë pjesë në zgjedhje me sukses, nëse jemi të zotë për një platformë politike të pranueshme për të gjithë, nëse dalim mbi interesat tona dhe të mos shohim kush është i pari apo kush ka më shumë njerëz. Nëse ne ia arrijmë që të dalim me një platformë dhe me një listë të përbashkët, duke konkurruar me njëri-tjetrin, duke qenë se ne kemi kërkuar hapjen e listave, ne do të krijojmë një frymë të re me energji të reja opozitare, promovojmë ide të reja dhe, mbi të gjitha, prodhojmë vota për opozitën.

Gazeta Si: Me cilën parti keni ide ta krijoni këtë kamp opozitar, që, sipas Enkelejd Alibeajt, duhet të dalë jashtë Parlamentit?

Dashamir Shehi: Nuk përjashtojmë asnjë individ, asnjë lëvizje, asnjë parti që është kundër Edi Ramës. Dua të them se nuk është më një çështje ideologjike, se ka kohë që koncepti e djathtë-e majtë e ka humbur kuptimin, për të mos thënë që s’kanë qenë ndonjëherë fort të dallueshme këtu. Pse e vendos thekson tek Edi Rama? Sepse nëse zoti Rama fiton zgjedhjet në 2024 dhe bëhet 16 vjet në pushtet, ne shndërrohemi si republikat e Bashkimit Sovjetik. Kush mund ta rrëzojë sot Putinin? Askush! Presin që t’i japë fund vetë. Por të mos shkojmë deri tek ai. Azerbajxhani, Turkmenstani, Kazakistani janë modele që ne po i ndjekim, dmth ne po shkojmë direkt “stan-it”, në vende ku pushtetin e merr babai dhe ia lë të birit. Pra, një mandat i katërt i Edi Ramës na rrezikon ekzistencën e kësaj pak lirie që kemi në Shqipëri, na rrezikon demokracinë.

Gazeta Si: Si mundet Rama, kur ju nuk pranoni koalicion me Berishën?

Dashamir Shehi: Në demokraci, qytetarëve u duhet dhënë më shumë sesa një alternativë. Opozita shqiptare ka nevojë të ketë dy blloqe kryesore. Në Perëndim, opozitat kanë me shumë, kanë 3,4 madje dhe 5 grupime opozitare. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka një traditë të tillë demokratike, por ne mund t’u ofrojmë formulën me dy blloqe. Është edhe më morale, edhe politike, edhe pragmatike për arsye elektorale. Nga njëra anë, blloku që beson se Berisha është i vlefshëm dhe do të kthehet për herë të tretë, bashkë me problemet që ka. Nga ana tjetër, blloku i ri që beson se Shqipëria ka nevojë për një opozitë tjetër, që mund të bëjë edhe pa Berishën. Këta ne i konsiderojmë rivalë, kundërshtar kemi Edi Ramën.

Gazeta Si: A keni bisedime me Lulzim Bashën për këtë, është ai pjesë e këtij grupimi politik?

Dashamir Shehi: Deri tani jo. Ne nuk e kundërshtojmë zotin Basha, por ai nuk është bashkuar deri tani.

Gazeta Si: Megjithëse e shihni veten të ndarë nga PD, si e komentoni kërkesën e saj për qeveri teknike?

Dashamir Shehi: Do të doja shumë të ndodhte, por është një nga ato ëndrrat që nuk realizohen. Këtë kërkesë e klasifikoj tek narrativat e gënjeshtërta politike, një ide të parealizueshme, prandaj s’duhet shpenzuar kohë me të. Sikur 1% mundësi të ketë kjo ide, do ta përkrahja pa hezitim, por ne kemi dështuar dy herë në të kaluarën e afërt me këtë ide. Është diçka e pamundur, sepse as Rama nuk e pranon, as partnerët ndërkombëtarë nuk e pranojnë. Nuk ka gënjeshtër më të madhe sesa të kërkosh diçka që nuk realizohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë