Para

Qeveria strategji pajtimi me pronarët që kanë dosjet në Strasburg

Sabina Veizaj - Juristi Kristaq Traja, (ish-gjyqtar i Gjykatës së Strasburgut si përfaqësues i shtetit shqiptar) i ka propozuar qeverisë shqiptare një strategji për zgjidhjen e ngërçit të më shumë se 30 vjeçar të kompensimit të pronave.

Juristi Traja është nisur sot në Strasburg, pasi në muajin dhjetor kjo gjykatë merr vendimin final për 89 dosje të pronarëve që janë ankuar pranë kësaj gjykate për moskompensim të pronave të tyre të trashëguara.

Avokat Traja shpjegon për Gazetën “Si” se kjo strategji që ai ka përpiluar vjen nga kërkesat e më shumë se 100 pronarëve, të cilët u kanë kërkuar avokatëve të tyre që ndjekin çështjen, se janë gati të negociojnë masën e kompensimit me ulje, vetëm që të marrin paratë sa më shpejtë.

Kristaq Traja

“Qeveria ka marrë masa për të ndërhyrë në Starsburg. Me shifrat e plota që qeveria u detyrohet pronarëve është e pamundur që ata të kompensohen. Qeveria nuk i ka kapacitetet financiare.”- shpjegon avokat Traja.

Problemi, thotë ai, është se Gjykata e Strasburgut nuk e merr parasysh pamundësinë e qeverisë.

“Por nga ana tjetër, pronarët pas kaq vitesh, të demoralizuar për një mijë arsye kërkojnë një shpërblim, kompensim të arsyeshëm për ta duke bërë zbritjen nga ajo që u takon e cila bëhet me një marrëveshje pajtimi mes tyre dhe shtetit shqiptar.”- shprehet avokat Traja.
Mënyra e pajtimit është normë procedurale si në Shqipëri, ashtu edhe në Strasburg.

Sa herë dërgohet një dosje në Strasburg, sqaron Traja, gjykata atje i dërgon ftesë shtetit dhe pronarit që të merren vesh me njëri-tjetrin fillimisht deri në momentin e vendimit final e mandej ekzekutimit të tij. Nëse nuk ka një marrëveshje të mundshme, gjykata vazhdon procedurat.

Por kjo procedurë deri më tani sipas Trajës nuk është zbatuar.
Por tani, kërkesa vjen nga vetë pronarët.

Ajo që propozon avokat Traja është një shtesë në ligjin në fuqi për kompensimin e pronave, që pronari dhe shteti të bien dakord për masën e shpërblimit.

“Ligji mbetet në fuqi, por ka hapësirë për shtesë. Çmimi mund të jetë më i lartë ose më i ulët sipas marrëveshjes.”- thotë Traja.

Në ëprgjigje të pyetjes nëse avokat Traja është vënë në kontakt me Shoqatën Pronësi me Drejtësi, ai thotë se është përpjekur, por nuk ka rënë dakord sepse sipas tij, shoqata ka frymë politike dhe nuk bie dakord me strategjinë e propozuar prej tij.

Por ndërkohë Traja konfirmon se janë 3-4 avokatë që kanë akumuluar 100 e ca dosje, të cilët kanë firmosur marrëveshjet e pajtimit ku është lënë hapësirë boshe për tu vendosur çmimi, i cili do të finalizohet nga një marrëveshje kokë më kokë me çdo pronar.

Këto kontrata do të dërgohen në Strasburg.

Pasi Strasburgu bie dakord me vendimmarrjen e pronarit, mandej fillon ekzekutimi.
VKM del më pas.

“Kjo mënyrë ndihmon pronarin dhe shtetin njëkohësisht. Qeveria kursen qindra mln euro që i duhet për të ekzekutuar vendimet e tjera. Problemi social zbutet dhe problemi politik në Strasburg e pushon këtë histori. Pronarët janë treguar inteligjentë.”- thotë avokat Traja.
Ai mendon se kjo është një platformë që kënaq të gjitha palët.

Kjo strategji, sipas Trajës përfshin edhe dosjet për të cilat është marrë vendimi i formës së prerë dhe nuk janë ekzekutuar ende. Sipas tij numërohen gati 200 dosje.

Në 2014 qeveria shqiptare vendosi të hartojë një ligj duke pretenduar të zgjidhte përfundimisht çështjen e kthimit dhe të kompensimit të pronarëve duke deklaruar se vinte në dispozicion 50 mld lekë për një kohë rivlerësimi të dokumentacionit 3 vite dhe kompensim të shtrirë në 10 vite kohë.

Ligji pati shumë debate në radhët e grupeve të interesit dhe u kthye edhe nga presidenti Bujar Nishani në atë kohë. Por shumica parlamentare e hodhi poshtë dekretin e presidentit.
Megjithë ligjin e miratuar, çështja e pronave vazhdon të zvarritet. Vetëm në Strasburg në muajin dhjetor do të vendoset për 89 dosje.

Para hyrjes në fuqi të Ligjit nr 133/2015, shteti raportoi se rreth 53,115 vendime ishin lëshuar që nga fillimi i procesit në vitin 1993 dhe se kishte edhe 10,131 kërkesa të mbetura pezull. Shteti raportoi, gjithashtu, se që prej vitit 1993 iu kthyen pronarëve të origjinës rreth 74,420 ha truall, tokë bujqësore, pyje, kullota dhe livadhe, si edhe u parashikua të kompensohen në lidhje me rreth 73,390 ha të tjera. Përveç kësaj, pretendimet e mishëruara në kërkesat për kthim dhe kompensim të pronave të depozituara para hyrjes në fuqi të Ligjit nr 133/2015 dhe të patrajtuara ende mbartin kërkesa për 148,209 ha të tjera truall, tokë bujqësore, pyll, kullota dhe livadhe.

Barra financiare e shtetit që rezulton nga rreth 24.317 vendime të pazbatuara (duke i’u referuar hartës së vlerës së tokës të vitit 2014) vlerësohet të jetë Euro 10.5 miliardë, ndërsa barra totale e mundshme financiare që rezulton nga kërkesat e patrajtuara është vlerësuar në Euro 7.065 miliardë.

Vetëm 900 nga 26,000 vendimet që parashikonin kompensim u ekzekutuan (pjesërisht) nga shteti gjatë periudhës 2004 - 2014. Kompensimi financiar (në shumën prej Euro 15.9 millionë, ose 4.41 miliardë lekë) që u është paguar tashmë pronarëve duket i parëndësishëm në vështrim të detyrimit total që shteti ka ndaj pronarëve. Në mënyrë të ngjashme, Fondi Shtetëror i Tokës i disponueshëm për kompensim thuhet se përbëhet nga toka bujqësore, toka pyjore, kullota dhe livadhe që arrijnë 23.000 hadhe vlera e atij fondi vlerësohet të jetë rreth EUR 700 milionë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë