“Varfëria nuk luftohet më lëmoshë”. Me këto fjalë, në 2012 Edi Rama, në atë kohë në opozitë, kundërshtonte qeverisjen e Partisë Demokratike për modelin ekonomik që kishte zgjedhur, si të papërshtatshëm për vendin tonë.
Rama politikën e shihte si mjetin e vetëm dhe të duhurin për të ndryshuar gjendjen, sipas tij, mjerane të mijëra familjeve.
2013 ishte kulmimi i prezantimit të programit të “Rilindjes” dhe në një dokumentar të prezantuar para zgjedhjeve, kreu i Partisë Socialiste jepte arsyet se përse shqiptarët duhet të votojnë këtë program dhe jo më Sali Berishën për një mandat të tretë.
Gjatë kohës që ishte në opozitë ndalesat në familje në gjendje të vështirë i kishte të shpeshta. Realitetin në kufijtë e tragjikes për shumë nga ato familje që vizitonte e paraqiste si fytyra e vërtetë në të cilën ndodhej ekonomia shqiptare.
“Ka një arsye edhe për ata që kanë emrin në libra veresie dhe dyqanet ushqimore, për të votuar Rilindjen, që të mund të çlirohen pak nga laku i atyre borxheve”, deklaronte ai.
Mazhoranca në ato kohë deklaronte se gjendja e vështire e ekonomisë shqiptare ishte pasojë e krizës globale që shpërtheu pas 2008. Por, Rama nuk mendonte kështu.
“Modeli ekonomik i aplikuar nga qeveria është shkaku i gjendjes së rëndë në të cilën gjenden shqiptarët sot dhe jo kriza globale”, deklaronte ai.
Akuzonte rivalët në pushtet në atë kohë se kishin fshehur nivelin e vërtetë të papunësisë, duke mos publikuar të dhënat e censusit të 2011.
“Ashtu siç e kishim parashikuar dhe siç e paralajmëruam, kapitulli për papunësinë u hoq. Qeveria u fshehu shqiptarëve të vërtetën zyrtare mbi papunësinë. Kryeministri që e ka marrë nën varësi të drejtpërdrejtë INSTAT-in, urdhëroi heqjen e këtij kapitulli, sepse censusi vërtetoi atë që ne themi bazuar mbi llogari të thjeshta për gjendjen e papunësisë. Në Shqipëri ka mbi 1 milion të papunë”, deklaronte ai.
Lufta kundër varfërisë ishte një kalë beteje për të. Duke iu referuar një raporti të Bankës Botërore në 2012, që klasifikonte si të varfra 62.1 për qind të familjeve shqiptare, deklaronte se kjo ishtë dëshmi e qartë e shterimit të modelit ekonomik të kësaj qeverie.
Zgjidhjen e shihte tek punësimi.
“Ne do të dhjetëfishojmë financimet publike për hapjen e vendeve të punës në sektorin jobujqësor. Ne do të pesëfishojmë financimet për bujqësinë dhe padyshim do të nxisim krijimin e ndërmarrjes sociale nëpërmjet një legjislacioni të ri mbi biznesin social, i cili do ta mbështesë kontributin dhe ndërmarrjen në sektorin privat në një spektër më të gjerë aktivitetesh ku përfshihen shërbimet komunitare, deri te sipërmarrjet për qëllime sociale, fitimet e të cilave do të riinvestohen për komunitetin”, shprehej Rama.
Me këto dhe të tjera premtime, në 2013 Edi Rama erdhi në pushtet në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Me të marrë në dorë fatet e vendit, shfaqjet dhe vizitat në familjet e varfëra u ndërprenë.
Angazhimi që kërkonte detyra e Kryeministrit ndoshta nuk i linte më kohë për të tilla vizita dhe në këtë aspekt nuk kontribuonte as situata politike e ndezur dhe nisja e disa reformave.
Një ndër të parat qe ajo e pensioneve. Skema ndryshoi, duke u siguruar një pension universal minimal për të gjithë qytetarët. Më vonë, reforma në drejtësi, ajo administrative dhe çështje të aktualitetit politik të përditshëm e “mbytën” agjendën e Kryeministrit dhe në bilancin e mandatit të parë, Edi Rama fliste për arritjet, por edhe për sfidat që mbeten në vazhdim.
Në 2017 i fitoi sërish zgjedhjet, këtë herë pa LSI-në në krah. I vetëm në qeverisje, Kryeministri premtoi kalimin në një fazë të dytë të reformave të ndërmarra në mandatin e parë; atë të thellimit të tyre.
Përmes rrjeteve sociale, ku është tepër aktiv, Rama njoftonte projekte, punime dhe përfundime punimesh, por edhe postime që lidhen me promovimin e denoncimit të korrupsionit në administratë, që në fushatën e 2017 e cilësoi si “tepsia që duhej çuar për skrap”.
Këto postime mbizotëruan edhe në vitin e parë të mandatit të tij të dytë deri në fund të muajit gusht, kur Kryeministri shfaqi një postim ndryshe.
“Nuk e prisja kaq të tmerrshme”, deklaronte ai në videon në fjalë, pasi vizitoi nga afër kushtet në të cilën jetonte familja e Hysen Zhupanit.
U largua prej andej me premtimin se do të ndërhyhej, duke i riparuar shtëpinë dhe ndihma të tjera. Videoja u mirëprit nga komentuesit, por të shumtë ishin reagimet që e qortonin Kryeministrin, ndërsa në mediat, sidomos ato më kritiket ndaj qeverisë u shfaqën artikujt me titullin “Rama zbret në terren dhe njihet me realitetin” e Shqipërisë.
Këtyre artikujve dhe komenteve kritikuese, Kryeministri iu përgjigj përmes rubrikës së re të hapur në ERTV, të quajtur “Përgjigja Ime”. Mes të tjerave thotë se realitetin dhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen mijëra familje shqiptare e njeh dhe sërish këmbëngul se vetëm punësimi është zgjidhja.
Videoja nga familja e varfër e Shijakut në dukje nuk është rastësi, por fillimi i fushatës “E gjithë vëmendje tek Ju” nga ana e Partisë Socialiste. Fokusi është tek qytetarët dhe një mesazh të ngjashëm me atë të Shijakut, Kryeministri e postoi sërish, këtë herë nga fshatrat e Vlorës.
Ishte sërish një familje në gjendje të rënduar ekonomike, të cilës për më tepër i mungonte edhe energjia elektrike. Edhe këtu, Rama premtoi ndërhyrjen dhe pak ditë më vonë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kreu i OSHEE-së, Ardian Çela shfaqen në banesën e rikonstrukturuar dhe të ndriçuar të familjes së Niko Ahmetit. Ministrja dhe kreu i OSHEE-së e cilësuan këtë një premtim të mbajtur të Kryeministrit.
Nën shembullin e Ramës me vizita e ndihmë të ngjashme janë shpërndarë në terren në kërkim të familjeve të të pamundurve ministra dhe drejtues të lartë socialistë. Taulant Balla shfaqej në familjen Karameta në fshatin Polis të Librazhdit.
“Familja jeton në kushte shumë të vështira dhe për të cilën do të sigurojmë mbështetje për rikonstruksionin e banesës”, shkruante ai në rrjetet sociale në postimin e shoqëruar me disa foto nga kjo vizitë.
Jashtë kësaj fushate nuk ka qëndruar as diplomacia. Ministri Ditmir Bushati ishte në familjen Basha në Fushë-Arrëz ku ndau librat falas për fëmijët e kësaj familjeje.
Fushata e ngjashme me atë të organizatave joqeveritare, nisi së bashku me sezonin e nxehtë politik dhe akuzave të përshkallëzuara të opozitës ndaj qeverisë për lidhje me krimin, dhe duket se do të vazhdojë deri në zgjedhjet vendore të 2019, pasi vizita e fundit e Kryeministrit Rama ishte në një tjetër familje të varfër, këtë herë në fshatin Pishaj të Gramshit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




