Përballë rritjes së pashembullt të çmimeve në përgjithësi dhe të çmimit të karburanteve në veçanti, Qeveria shqiptare duket e vetmja në rajon që ka ngritur duart lart, duke u dorëzuar.
Qeveritë e vendeve të tjera të rajonit, ose po studiojnë, ose kanë marrë masa për të zbutur dhe frenuar këto rritje.
Si shembull, në Maqedoninë e Veriut Qeveria do t’i propozojë Parlamentit uljen e akcizës së naftës nga 18.5 për qind që është aktualisht në 5 për qind. Kjo, sipas relacionit me anë të të cilit shoqërohet propozimi do të ulë çmimin për një litër naftë me rreth 15 për qind.
Masa tjetër, ku do të ndërhyjë qeveria maqedonase është mbajtja e nivelit prej 5 për qind të TVSh-së në energji përgjatë të gjithë këtij viti, duke shtyrë në kohë hyrjen në fuqi të një ndryshimi që e dyfishonte këtë taksë, duke çuar në 10 për qind.
Sipas përllogaritjeve të Qeverisë maqedonase, kostoja në buxhet e kësaj ndërhyrjeje do të jetë rreth 400 mln euro, që Shkupi parashikon ta mbulojë nga një eurobond.
Në Greqi, Qeveria ka vendosur që të subvencionojë me 300 deri në 400 euro çdo familje për mbulimin e shpenzimeve të rritura për energjinë dhe naftën. Ky subvencionim është me afat të pacaktuar, deri në normalizimin e tregjeve.
Masa tjetër e Qeverisë greke është edhe rritja e pagës minimale, nga 650 euro në 773 euro.
Në Serbi, Presidenti Aleksandër Vuçiç tha në një intervistë televizive se qeveria do të dalë shpejt me një propozim, që do të heqë TVSh-në prej 20 për qind dhe pagesat doganore për naftën e importuar, në mënyrë që të sigurohet sasia e nevojshme që rafineria e Nishit të mbahet në punë.
Ai tha gjithashtu se çmimi i naftës nuk do të ndryshojë për fermerët, të paktën për një muaj e gjysmë dhe do t’u vendoset dy kompanive të furnizimit me energji elektrike dhe gaz një fond prej 150 mln eurosh për të shmangur rritjen e çmimit të energjisë dhe të gazit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.