Thuajse dy vite pasi vendosi që të mbyllë kazinotë dhe lojërat e fatit nëpër zonat e banuara, Qeveria bën një hap pas dhe rikthen këtë biznes në qytetin e Tiranës.
Përmes një vendimi të marrë më datë 2 shtator e të publikuar këtë të mërkurë në Fletoren Zyrtare, por të papublikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, miratohet një hartë me rrugët e kryeqytetit ku do të lejohet ushtrimi i aktivitetit nga ana e kazinove.
Në total bëhet fjalë për gjashtë rrugë. Ato janë Rruga e Barrikadave, Rruga Urani Pano, Rruga Dedë Gjon Luli, Rruga Ibrahim Rugova, Bulevardi Zhan D’Ark dhe Rruga Xhorxh W.Bush.
Por jo kushdo mund të marrë licencën për ushtrimin e këtij aktiviteti në këto zona. Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka përcaktuar edhe procedurat dhe kriteret që duhet të ndiqen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, duke filluar që me procedurat që do të jenë në formën e garës dhe ofertës më të mirë.
Aplikuesit nga ana tjetër duhet të jenë shoqëri aksionare me seli në territorin e Shqipërisë, me kapital jo më pak se 1.2 miliard lek, duhet të deklarohet burimi i kapitalit që do të investohet dhe të kenë përvojë në fushën e lojërave të fatit dhe kapacitetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.