Qeveria po diskuton mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për një grup familjesh që harxhojnë më shumë.
“Po bëjmë një studim për të hequr nga kjo mbrojtje e plotë familjet që konsumojnë shumë energji pasi jetojnë në kushte shumë të mira”, tha Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me tregtarët e shumicës dhe pakicës të ushqimeve.
Rama nuk përmendi se cila do të jetë metoda e përzgjedhur për të përcaktuar çmimin dhe përzgjedhur familjet, por tha se këto familje janë pak në raport me nevojën e krijuar për shkak të krizës energjitike.
“Janë prap një pjesë e vogël. Nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe, por prap po e bëjmë këtë pjesë”, tha ai.
Një prej varianteve që mund të aplikohet është i rivendosjes së fashës mbrojtëse, që u hoq nga Rama në mandatin e parë qeverisës. Fasha e vendosur në atë kohë ishte 300 kw për orë. Familjet që harxhonin energji më pak se kjo shifër e paguanin atë me 7 lek kilovati, ndërsa familjet që e tejkalonin atë e paguanin me 13.5 lek kilovati.
Rama e hoqi këtë fashë në mandatin e parë, duke e mesatarizuar çmimin e energjisë elektrike për të gjithë në 9.5 lek kilovati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.