Ekonomi

Qeveria po mbledh më shumë se sa po shpenzon. Në 11 muaj suficiti arriti 72 mld lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në 11 muaj, arka e shtetit arkëtoi 647 mld lekë, me një rritje 60.5 mld lekë nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat tatimore për këtë periudhë arritën 207.5 mld lekë me një rritje vjetore prej 20.2 miliardë lekë.

Gjatë kësaj periudhe, TVSH-ja në import u rrit me 5.2% duke mbledhur në total 140.4 mld lekë

Tatimi nga të ardhurat personale po ashtu është realizuar në vlerën e 60.1 miliardë lekëve dhe ka njohur rritje me 7.2 miliardë lekë në raport me vjet për shkak edhe të rritjes së pagave në administratën publike.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sërish rezultojnë me rritje të konsiderueshme në 15 % në krahasim me 2023, duke arritur në 146.7 miliardë lekë. Edhe në këtë zë, ka pasur ndikim reforma e rritjes së pagave dhe e antiinformalitetit.

Sa i takon të ardhurave doganore, ato u realizuan në vlerën 209 miliardë lekë, 11.5 miliardë lekë ose 5.8% më shumë se 11-mujori 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 54.7 miliardë lekë, 11.7 miliardë lekë ose 27% më shumë se 11-mujori 2023, si dhe 3 miliardë lek ose 5.7% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 11-mujorin 2024. Rimbursimet për periudhën 11-mujore 2024 janë 20.4 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 7.9% më shumë se 11-mujori 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 51.2 miliardë lekë ose në masën 99.2% të planit të 11-mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 60.1 miliardë lekë, 7.2 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 11-mujori 2023, si dhe 857 milionë lekë ose 1.4% më shumë se plani i 11-mujorit 2024.

Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 11 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 575.3 miliardë lekë, me një realizim në masën 88.1% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ky zë ka rezultuar 4.8% më i lartë.

Shpenzimet korente,për periudhën 11 mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 512.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.9% më i lartë dhe rreth 60 mld lekë shpenzime kapitale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë