Para

Qeveria ofron garanci sovrane për të nxitur bankat që të kreditojnë fermerët

Gazeta Si - Bujqësia punëson thuajse gjysmën e qytetarëve shqiptarë, por pesha që zë në prodhimin e brendshëm bruto është pak më shumë se 20 për qind. Kjo diferencë e thellë tregon prapambetjen e këtij sektori në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë së vendit.

Për të nxitur zhvillimin e bujqësisë, sidomos në drejtim të agroturizmit, Qeveria prezantoi një paketë garancie sovrane prej 4 miliardë lekësh, që do të ndahet me nga një miliard në katër vitet e ardhshme. Shuma e vënë në dispozicion është që të nxisë bankat e nivelit të dytë që të zgjerojnë portofolin e tyre të kredisë në bujqësi.

Aktualisht, bujqësia zë më pak se 2 për qind të totalit të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë dhe kjo shifër ka qëndruar konstante prej vitesh në vend. Shkak janë identifikuar disa faktorë. Së pari, mungesa e interesimit nga femrerët dhe sipërmarrësit për të aplikuar për kredi dhe perceptimi i bankave se sipërmarrjet bujqësore kanë një risk të lartë.

Faktorë të tjerë kanë qenë edhe pengesat ligjore dhe mangësitë në dokumentacionet e pronave, që nga mungesa e titujve përfundimtarë të pronësisë, që Qeveria synon të nxisë me ligjin e fundit të miratuar vitin e kaluar.

Megjithatë, më shumë se të gjitha këto, në fjalën e mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë në takimet me bankat e nivelit të dytë, ku përfaqësohej edhe BERZh, Kryeministri Edi Rama identifikoi si problematikë madhore edhe mungesën e informacionit, asistencës dhe dijes.

“Që bankat të marrin aplikime që përmbushin kriteret për t’u marrë në konsideratë, duhet shumë më tepër informim për fermerët, asistencë teknike, investim energjish nga ana jonë për të rritur kapacitetet dijes, sepse në fund të ditës në bujqësi, historia e zhvillimit të vendeve tregon se sa e rëndësishme është dija dhe përditësimi i njohurive për të pasur sukses”, tha Rama.

Grancia sovrane për bujqësinë është e treta paketë e këtij lloji që Qeveria ofron në harkun kohor të dy viteve. Dy të parat u njoftuan për përballimin e pasojave të pandemisë për biznesin e vogël dhe biznesin e madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë