Shoqata “Industria e Përpunimi të Qumështit në vend mund t’i bashkohet protestave të fermerëve dhe blegtorëve të tjerë kundër Paketës së Re Fiskale.
Donjaldo Hoxha, Kreu i kësaj Shoqate në komunikim me Gazetasi.al e lë të hapur mundësinë për një reagim masiv në formën e një proteste përderisa kërkesat e tyre nuk po dëgjohen nga rrugët zyrtare.
Hoxha tregon se ajo çfarë shoqata kërkon është shtyrja e miratimit të paketës fiskale për vitin 2022 dhe të kryhen bisedime me grupet e interesit.
“Hartuesit e saj duhet të shikojnë terrenin dhe të implementojnë masa konkrete, sidomos tani që sektori jonë është në kolaps. Ne e dimë që shteti mbahet me taksa dhe jemi dakord me taksimin, por sipas kushteve dhe Tregut Rajonal të Përbashkët.”
Hoxha tregon se shoqata ka kërkuar të jetë pjesë e bisedimeve dhe shqyrtimeve të paketës me Ministrinë e Financave apo në Komision, por nuk kanë marrë përgjigje. Paketa Fiskale është prezantuar në Komision ndërparlamentar dedikuar ekonomisë pa praninë e grupeve të interesit, të cilat u ftuan disa ditë më vonë.
Kërkesat e Përpunuesëve të Qumështit janë 4, në përputhje me idenë e një Tregu Rajonal të Përbashkët.
“Ne kërkojmë reduktim të TVSH-së në vlerën e 6% për të gjitha produktet shtazore, njësoj siç është në Kosovë dhe Maqedoni për këtë sektor”,- tregon Hoxha.
Kjo kërkesë mbështetet në arsyetimin e niveli i TVSH-së prej 20% është tepër i lartë dhe duke qenë një industri që është në konkurrencë të përditshme në treg, kërkojnë kushte të drejta konkurrimi.
Kërkesa e dytë e shoqatës është mbështetje për fermerët që merren me qumështin me 10 lekë për litër pa limit sasie kur qumështi dërgohet në fabrikat e përpunimit. Një kërkesë që gjithashtu mbështetet në strukturën subvencionuese në rajon.
Shoqata kërkon në pikën 3 heqjen e akcizës së gazit 6 lekë për litër për industrinë e përpunimit si taksë inekzistente në rajon.
“Industria punon me kaldaja që janë të lidhura me gaz, lëndë që ishte ekonomike deri para pak muajsh. Nuk mund të taksohet gazi për përpunim dhe biznes, vetëm sepse autoitetet përgjegjëse nuk e gjurmojnë dot kur gazi shkon për konsum a biznes”,-shprehet kreu i Shoqatës.
Kërkesa e fundit e Përpunuesëve është formalizmi i tregut të qumështit apo heqja e “qumështit të rrugës” ku tregohet se vetëm 11% e qumështit në qarkullim është i kontrolluar, i përpunuar dhe me standarde . 89% është totalisht ekonomi informale ku 30% e kësaj sasie përdoret për konsum vetjak dhe 70% e kësaj sasie përpunohet në informalitet dhe jashtë çdo lloj standardi nga njësi përpunimi dhe baxho të padeklaruara.
Shoqata e Industrisë së Përpunuesëve të Qumështit ka pjesë të saj kompanitë që merren me përpunimin e qumështit dhe bashkëpunime me mbi 5.000 fermerë në vend. Nëse kërkesat e tyre nuk shqyrtohen zyrtarisht dhe e vetmja mundësi ngel reagimi në rrugë, do të jetë një hallkë e shtuar në zinxhirin e pakënaqësive të bizneseve të shkaktuara nga Paketa e Re Fiskale.
Paketa e Re Fiskale që pritet të miratohet të hënën e 15 nëntorit, u krijua me direktiva të BE-së duke lënë në gjysmë një paketë fiskale të miratuar në janar 2021.
Ndryshimet tatimore që parashikon paketa kanë sjellë reagime dhe kundërshtime nga Dhomat e huaja të Tregtisë në vend, nga shoqatat e fermereëve, blegtorëve, nga industri të ndryshme si dhe nga ekspertë të pavarur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.