Ekonomi

Qeveria: Ndryshimi i shpeshtë i buxhetit dëmton besueshmërinë fiskale. Pjesa më e madhe e ekonomisë informale

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare ka pranuar se planifikimi dhe ekzekutimi i shpenzimeve për investime është ende i dobët dhe se ndryshimi i shpeshtë i buxhetit dëmton besueshmërinë fiskale.

Kështu shkruhet në raportin e Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2023-2025, publikuar nga ministri i Shtetit dhe Kryenegociatori.

Në dokument theksohet dhe se një pjesë e madhe e ekonomisë mbetet informale.

“Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar disi tablonë makroekonomike si rezultat i ngadalësimit të ekonomisë globale, kryesisht në Europë, dhe presioneve të forta inflacioniste. Ndikuar nga çmimet dhe kostot e larta të prodhimit si dhe nga një pasiguri e lartë, zgjerimi i PBB-së u ngadalësua në 2.2% në tremujorin e dytë të vitit 2022. Kjo ecuri reflektoi një stepje të investimeve në një realitet të ri me rritje të shpejtë të kostove dhe pasiguri të lartë, një ngadalësim të rritjes së eksportit të mallrave dhe një rritje të shpejtë të importeve”,- thuhet në raportin e nxjerrë për konsultim publik.

Po ashtu shpjegohet se deficiti tregtar i mallrave gjatë 2022-shit është rritur me 12.1% për shkak të rritjes së importeve, nxitur nga çmimet më të larta ndërkombëtare.

Flukset e Investimeve të Huaja Direkte u rritën me 27.7%, të ndikuara kryesisht nga sektorët e “Pasurive të Paluajtshme”, “Energjia”, “Industria nxjerrëse” dhe “Industria Përpunuese”.

Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë është reduktuar në 51.9% të PBB-së në fund të gjysmës së parë të vitit 2022, nga 63.2% në fund të vitit 2021. Borxhi shënon vlerën 9 mld euro, duke regjistruar një rritje vjetore me 12.7% kryesisht si pasojë e emetimit të Eurobondit në fund të vitit 2021.

Raporti analizon dhe rritjen e interesave në kredi dhe në tituj, duke cilësuar këtë të fundit  më të fortë. për shkak të pasigurisë së aktorëve të tregut dhe pritshmërisë për një normalizim të politikës monetare. Në bankat tregtare, norma e interesit për kreditë e individëve kanë arritur nivelin e 7.4% dhe për bizneset 5.9%, por transmetimi i politikës monetare është vonuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë