Treg

Qeveria miraton ndërtimin e centralit eolik në Fier për 4 vitet e ardhshme. 2% e energjisë çdo vit do t’i dhurohet shtetit

Këshilli i Ministrave ka miratuar aplikimin e kompanisë “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, për të ndërtuar një central të energjisë eolike në Fier (për prodhimin e energjisë nga era).

Kjo kompani do të ndërtojë centralin me kapacitet 3 megavat dhe ka afat 48 muaj për ta ndërtuar atë, pra 4 vite.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgjegjësi të mbikëqyrë ecurinë e punimeve dhe ligjshmërinë e tyre. 

Referuar vendimit, shoqëria “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., ka detyrimin që pasi të ndërtohet, një pjesë të prodhimit t’ia kalojë furnizuesit publik. T’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shoqëria “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit.

Të paraqesë periodikisht çdo 3 (tre) muaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;

Të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;

Të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj.

Fieri pritet të jetë mikpritës edhe për ndërtimin e centraleve fotovoltaike, ku së fundmi kompania AGNA sh.a aplikoi për ndërtimin e një centrali në Libofshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë