Politike

Qeveria miraton bonusin e pranverës për pensionistët, 5 dhe 10 mijë lekë sipas kategorive

Nga Gazeta ‘SI’- Në mbledhjen e parë të vitit 2025, qeveria ka miratuar disa vendime me rëndësi.

Gjatë konferencës pas mbledhjes, ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe njoftoi se është miratuar bonusi i pranverës për pensionistët. Sipas tij,  ata që marrin më pak se 20 mijë lekë pension do të përfitojnë 10 mijë lekë bonus, dhe ata që marrin më shumë se 20 mijë lekë, 5 mijë lekë bonus.

Bonusin prej 10 mijë lekësh do ta përfitojnë 524 mijë pensionistë.

Gonxhe njoftoi se kabineti ka miratuar edhe projektligjin e “Paketës së Maleve”, ofrimin e hapësirave malore për zhvillim nga privatët.

Pas ministrit të Ekonomisë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tregoi se është miratuar edhe një vendim për shpërblimin e punonjësve të policisë,  me qëllim motivimin e tyre.  

Ministri Hoxha u shpreh se “qeveria është dhe përcakton shumë shprehimisht vullnetin e saj për misionin e rëndësishëm që ka Policia e Shtetit në politikën e saj të vazhdueshme, roli i policisë është një rol shumë kyç dhe motivimi i forcave të policisë do të jetë në prioritetin e objektivave të qeverisë shqiptare”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tregoi se është miratuar edhe shtyrja e afatit të kompensimit të ish-pronarëve, deri në dhjetor 2027.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë