Biznes

Qeveria lehtëson investitorët strategjikë të hoteleve me 4 dhe 5 yje

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria ka miratuar disa lehtësime të tjera për investitorët strategjikë, lidhur me eksperiencën e tyre.

Të gjithë subjektet turistike me 4 apo 5 yje (status special), që investojnë nga 8 në 15 mln euro, nuk kanë nevojë të paraqesin dokumente mbi menaxhimin e strukturave të njëjta në të shkuarën, siç kërkohej në ligjin e vjetër.

Një ndryshim me rëndësi është edhe ai i uljes së garancisë që këto investitorë duhet të paguajnë, nga 10 në 3% të vlerës. 

Në vendimin e ri qeveria sanksionon se “Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon: a) Për hotelet me 4 yje për vlerën 240 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 4 yje prej 8 milionë eurosh); b) Për hotelet me 5 yje për vlerën 450 mijë  euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 5 yje prej 15 milionë eurosh)”

Në ligjin e vjetër ishte: a) Për hotelet me 4 yje 10% e vlerës 8 milionë euro (800 mijë euro); dhe b) Për hotelet me 5 yje 10% e vlerës 15 milionë euro (1.5 milionë euro)” thuhet në VKM  e vjetër të vitit 2018.

Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” duhet ta bëjë aplikimin përmes e-albania dhe jo më nga posta.

Më herët, në një tjetër draft, qeveria propozonte përshpejtimin e lejeve që jepet për investimet strategjike pranë zonave bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë