Politike

Qeveria kalon pa konsultim ligjin mbi shembjen e pronave publike për interesa private. Opozita kundër: Ligj klientelist. Tërhiquni!

Nga Gazeta 'SI' - Një draft i propozuar nga socialistët që i hap rrugë prishjes së pronave publike për interesa private krijoi debat në seancën e sotme parlamentare.

Demokratët kundërshtuan ligjin dhe kërkuan heqjen e tij nga rendi i ditës, për ta rikthyer në komisione, por socialistët e rrëzuan këtë propozim.

Fjalën e mori deputetja Dhurata Çupi e cila tha se ligji është klientelist dhe se i hap rrugë qeverisë të japë pronat e teatrit për të ndërtuar kulla.

Propozimi u kundërshtua dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, duke thënë se qeveria e paraqiti vjedhurazi këtë ligj, duke provuar kështu korrupsionin në qeveri.

“Ky parlament, tashmë totalisht privat, sot ashtu në mënyrë diabolike dhe në mënyrë okulte fut një projektligj me anë të të cili kërkohet që pasuria shtetërore të shkojë në favor, të dhurohet e të shkëmbehet në favor të investitorëve strategjik. E kanë paraqitur vjedhurazi të martën e kësaj jave dhe duan ta kalojnë sot. Dhe kjo është shembulli apo prova më e fortë e korrupsionit që ka përfshirë qeverinë po e po, por dhe veglat e tyre në parlament. Jo vetëm kaq, por se një nga çështjet më të rëndësishme që unë besoj që janë në interes të publikut, janë propozimet tona për reformën zgjedhore, për çështjen e diasporës. Mbahen në syrtaret e këtij Parlamenti thjesht dhe vetëm me idenë se duke kaluar ditët të bëhet gjithmonë e më e pamundur zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe interesi i shqiptarëve” u shpreh Alibeaj nga oborri i Kuvendit.

Një reagim nga rrjetet sociale pati edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke e cilësuar si një tjetër ligj në favor të oligarkëve.

“Tinëzisht dhe në bashkëpunim me qeveritarët e korruptuar ata duan ta përvetësojnë pronat publike nëpërmjet shitjes me ankand, tjetërsimit dhe shkëmbimit me pasuri private nga institucione në varësi të Kryeministrit apo të organeve të qeverisjes vendore. Ky ligj korruptiv është në vazhdën e ligjeve të porositur nga oligarkia, duke imituar skemën e inceneratorëve”, shkruan Basha.

Kritik i këtyre ndryshimeve ishte dhe socialisti Erion Braçe, i cili ngriti shqetësimet se pse përfshihen deputetët në politika kaq të rëndësishme, kur është detyrë e ministrive.

Braçe tha se ligji duhet të kalonte në konsultim fillimisht.

Një ditë më parë, deputetja Jorida Tabaku e quajti projektligjin provë të kapjes së shtetit dhe e quajti antikushtetues.

“Është një ligj me porosi, për qëlllime dhe interesa të kujt unë ende nuk e di,” tha Tabaku, ndërsa shtoi se sipas përmbajtjes së neneve, shteti kthehet në një shkëmbyes pronash dhe transaksionesh private. Për mua të dyja janë shumë të rrezikshme! Lënë hapësirë për korrupsion, hapësirë në zbatimin e tij…,” deklaroi Tabaku në komisionin e Ekonomisë.

Çfarë ndodhi në komisionin e Ekonomisë një ditë më parë?

Ndryshimet e reja në ligjin për privatizimin, u propozuan fillimisht nga deputeti socialist Eduart Shalsi dhe u miratuan në komisionin e Ekonomisë pa kaluar më parë në konsultimin publik.

Gjatë diskutimeve në komision, deputetët socialistë ranë dakord të bënin ndryshime të tjera, që përfshinin shkëmbimin apo shembjen e pronës shtetërore për investime private në turizëm etj, përsëri pa asnjë konsultim paraprak. Ndryshimet e propozuara brenda pak minutave ishin një dritë jeshile për shembjen e objekteve shtetërore në troje ku janë dhënë leje zhvillimi.

Pamje nga mbledhja e djeshme në komisionin e Ekonomisë, 15 maj 2024/ Gazeta 'SI'

“Kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit,” thuhet në propozim, duke përcaktuar se shpenzimet e shembjes dhe vlera kontabël e objekteve përballohen nga kompania private.

Fill pas miratimit në komision nga deputetët socialist pasditen e të mërkurës, ligji u fut me urgjencë në rendin e ditës për seancën e të enjtes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë