Ngjarje

Qeveria ia vetëofroi Kushnerit projektin në Sazan. Senati amerikan nis hetim për ‘pazaret’ e familjes Trump në Shqipëri dhe Serbi

Nga Gazeta 'SI' - Kompania “Affinity Partners”, në pronësi të Jared Kushner , dhëndrit të Donald Trump është nën hetim nga Senati Amerikan pasi ka fituar 157 mln dollarë që nga viti 2021, por nuk ka deklaruar asnjë kthim për investitorët.

Këto të dhëna kanë nxitur dyshime brenda Senatit se kompania është vetëm një skemë kompensimi me investitorët e huaj që kërkojnë të “blejnë” ndikim në familjen Trump, në rast të një rikthimi të tij në Shtëpinë e Bardhë.

I shqetësuar për konflikte interesi dhe fshehje të investitorëve, kreu demokrat i komitetit të financave në Senat, Ron Wyden i dërgoi një letër përfaqësuesit ligjor të “Affinity Partners”, Chad Mizelle, duke i kërkuar informacione për të gjitha paqartësitë që lidhen me operimin e kompanisë.

Wyden shkruan se gjetjet e hetimit janë burim shqetësimi se investimi në fondet e Affinity krijon “konflikte të paprecedentë interesi” dhe se paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Marrëveshja e Jared Kushner me qeverinë shqiptare dhe serbe përmenden në letër si zhvillime jo pozitive.

“Affinity Partners”, ku Kushner deklarohet pronar i vetëm pritet të bëhet zhvilluesi i një resorti ultraluksoz në ishullin e Sazanit në Shqipëri, pas një marrëveshje me qeverinë shqiptare. Projekti që thuhet se kushton 1 mld dollarë krijoi debat në Shqipëri, SHBA dhe në rajon. E njëjta kompani pritet të zhvillojë një hotel luksoz në zemër të Beogradit, aty ku sot qëndron ish-ministria e Brendshme jugosllave, e bombarduar nga NATO.

Shqetësimi i Senatit – Marrëveshja e qeverisë shqiptare dhe serbe me Affinity, për të ndikuar familjen Trump

Projektet në Sazan dhe Beograd shihen me dyshim nga Senati amerikan, duke sugjeruar se marrëveshjet e biznesit mund të shfrytëzohen nga qeveritë e dy vendeve për të ndikuar në familjen e Trump.

“Informacion i ri i marrë nga Komiteti në lidhje me marrëveshjet e pasurive të paluajtshme në Serbi dhe Shqipëri më tej tregon se si qeveritë e huaja mund të kërkojnë partneritet me Affinity në mënyrë që të fitojnë influencë mbi Kushner dhe Ivanka Trump. Raportet publike konfirmojnë se Affinity kërkon të investojë deri në një miliard dollarë në projekte të pasurive të paluajtshme në Beograd dhe zhvillime luksoze në bregdetin shqiptar, megjithatë, pak dihej më parë se si lindën ato marrëveshje të propozuara dhe për natyrën e marrëdhënieve afariste të Affinity me qeverinë serbe dhe shqiptare”, shkruan Wyden në letër.

“Një person nga qeveria shqiptare iu afrua Affinity”

Në një nga paragrafët e letrës me 8 faqe thuhet se nuk ishin amerikanët ata që u interesuan për investimin në Sazan, por qeveria shqiptare i ofroi projektin kompanisë Affinity, duke u afruar me njerëz pranë saj.

“Në sqarimin e vet, Affinity i tregoi Komitetit se qeveria serbe dhe ajo shqiptare fillimisht iu afrua individëve të lidhur me Affinity në lidhje me një investim në projektet e ardhshme të pasurive të patundshme. Megjithatë, Affinity nuk pranoi të identifikojë se kush ishin ata persona në qeverinë serbe dhe atë shqiptare që iu afruan të parët Affinity dhe nëse qasja u bë drejtpërdrejt përmes Jared Kushner, Ivanka Trump ose individëve të tjerë të lidhur me Affinity. Sipas raportimeve të fundit publike, Ivanka Trump ka ka qenë e përfshirë personalisht në përpjekjet për të zhvilluar prona luksoze buzë bregdetit në Shqipëri, duke sugjeruar se përfshirja e familjes Trump në këto marrëveshje është më e thellë se sa dihej më parë”, shkruhet në letrën drejtuar përfaqësuesit ligjor të Affinity.

Ndërkohë përfaqësuesit e qeverisë shqiptare përfshirë ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro thanë se Kushner, ashtu si edhe të tjerë të interesuar ka aplikuar për një investim turistik në Sazan dhe pasi kërkesa të shqyrtohet do të merret vendimi.

“Për të dyja zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveria serbe dhe ajo shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret. Këto terma lejojnë qeveritë e Serbisë dhe Shqipërisë të nxjerrin lëshime të pazakonta nga Affinity në këtë proces. Për shembull, projekti i Beogradit, në vendin e një ish-bombardimi të NATO-s, do të përfshijë një muze që është përshkruar si një monument për “viktimat e agresionit të NATO-s.” Është krejtësisht e papërshtatshme që çdo qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në atë lloj revizionizmi historik antiamerikan, një akt që zbardh spastrimin etnik dhe gjenocidin dhe e riformulon në mënyrë të rreme NATO-n si një antagonist, dhe është skandaloze që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti të ardhshëm dhe të mundshëm të Shteteve të Bashkuara të pajtohej me të”, vijon kreu i komitetit të financave.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në foto me Jared Kushner, Ivanka Trump dhe Richard Grenell.

Sazani dhe 10 kërkesat e Senatit

Senati amerikan i ka dërguar "Affinity Partners" 10 kërkesa për informacion mbi projektin në Shqipëri, nga bisedat e familjes Trump tek personeli i qeverisë shqiptare.

Për të gjitha investimet që Affinity planifikon të bëjë në Shqipëri, ofroni informacionet e mëposhtme:

1- Një listë me të gjithë individët dhe entitetet që po bashkëpunojnë me Affinity për projektin.

2 - Një listë me të gjitha zonat ku po konsiderohet zhvillimi i projektit dhe një përshkrim të tij për çdo zonë.

3- Vlerën në dollarë të investimit që Affinity do të hedhë në Shqipëri, sipas projekteve dhe shumën që do të hedhë çdo investitor për çdo projekt.

4- Një përshkrim të detajuar të marrëveshjes midis Affinity dhe qeverisë shqiptare mbi projektin. Këtu duhet të përmenden edhe interesat financiare të qeverisë shqiptare, rolin e saj dhe si do të bëhet ndarja e fitimeve.

5- Një listë me të gjitha miratimet rregullore apo lejet që i duhen Affinity dhe partnerëve të saj nga qeveria shqiptare për të operuar me projektin.

6- Sipas raporteve publike, Ivanka Trump ka një rol të drejtpërdrejtë në negociatat me qeverinë shqiptare, përshkruani rolin e Ivanka Trump në këto projekte dhe si ajo u përfshi në to.

7- Ofroni Senatit të gjitha komunikimet midis punonjësve të Affinity dhe të gjithë familjarëve të familjes Trump, përfshirë Ivankën, rreth Shqipërisë.

8- Affinity është shprehur se qeveria shqiptare i është afruar fillimisht për një investim në pasuritë e patundshme në Shqipëri, ofroni një listë te detajuar të personelit të qeverisë shqiptare apo individëve që kanë kontaktuar Affinity për llogari të qeverisë shqiptare lidhur me investimin.

9- Ofroni një listë detajuar të punonjësve apo individëve të lidhur me Affinity, që janë kontaktuar nga qeveria shqiptare.

10- Affinity i tregoi Komitetit se qeveria shqiptare, si pjesë e partneritetit të saj me Affinity, është përgjegjëse për marrjen e të gjitha miratimeve, licencave dhe lejeve të nevojshme në lidhje me çdo investim në pasuri të paluajtshme nga Affinity në Shqipëri. A janë shprehur zyrtarisht këto kushte në ndonjë marrëveshje të negociuar mes Affinity dhe qeverisë shqiptare? Nëse po, jepni Komitetit një kopje të atyre marrëveshjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë