Nga Gazeta ‘SI’ – Ndërsa qeveria i ka hapur “luftë”, paraja jashtë sistemit bankar ka prekur një rekord të ri.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në qershor 2025, jashtë bankave qarkullojnë 441 mld lekë, me një rritje rreth 12% nga qershori i shkuar, kur shënohej 395 mld lekë.
Shifrat e BSH-së tregojnë një rritje të të gjithë agregatëve monetarë, pra një ofertë të rritur të parasë në vend.
M3 që njihet si paraja e gjerë u rrit në 1.830 trilionë lekë, nga 1.818 trilionë lekë që ishte në muajin maj.
Sipas shifrave të BSH-së, në qershor 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është shtuar me rreth 16 mld lekë nga maji dhe raportohet 884 mld lekë.
Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 22 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.097 trilion lekëve.
Qeveria Rama dhe Banka e Shqipërisë parashikojnë vendosjen e një kufiri të parave cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit. Qeveria ka propozuar vlerën 100.000-150.000 lekë, ndërsa Shoqata e Bankave lobon për një nivel deri në 70.000 lekë.
Në kuadër të kësaj nisme, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



