“Qeveria e dialogut”. Kështu po cilësohet nga ekspertët qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, nënkryetari i Lidhjes Demokratike. Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, AAK-së, Nismës dhe Listë Serbe duket se erdhi në jetë me një mision të vetëm: arritjen e marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Pas pavarësisë, ky është misioni më i rëndësishëm i Kosovës, por duket se do të udhëhiqet nga një qeveri që nuk gëzon legjitimitetin maksimal të publikut.
Megjithatë, ndryshe nga Albin Kurti, Hoti gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila, siç thonë ekspertët, kërkon nënshkrimin e një marrëveshjeje përpara zgjedhjeve amerikane.
Drejtoresha Ekzekutive e Platformës CiviKos Donika Emini në Prishtinë thotë se është hera e parë që qeveria po formohet nga partia e vendit të dytë.
“Qeveria është e paqëndrueshme dhe 61 votat që i duheshin Qeverisë Hoti u siguruan nga Presidenti Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj. Kjo është pranuar publikisht nga një prej deputetëve në fjalimin e tij gjatë seancës së asamblesë”, sqaron Emini në një intervistë për “European Western Balkans” duke shtuar se ndikimi i qartë i Presidentit, i cili po shërben si figurë unifikimi, flet vetë për stabilitetin e kësaj qeverie.
Ndryshe nga qeveria “Kurti”, kabineti Hoti ka treguar një konsensus të pashembullt për heqjen e masave të reciprocitetit dhe vazhdimin e dialogut me Beogradin. Për Eminin, marrëveshja me Serbinë është edhe arsyeja pse kjo qeveri u formua.

Sipas saj, kjo qeveri, e themeluar në rrethana shumë të paqarta dhe e sponsorizuar nga Thaçi, ka si mision kryesor të sajin nënshkrimin e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë, duke i dhënë kështu fund mosmarrëveshjeve historike.
“Qeveria e re u formua me një mision të vetëm dhe më të rëndësishëm për t’i hapur rrugë marrëveshjes përfundimtare”, shprehet Emini. “Qeveria Hoti e ka renditur dialogun si përparësinë e tyre kryesore. Kjo, natyrisht, po i shitet publikut më shumë si mision për të rindërtuar marrëdhëniet e prishura strategjike me SHBA-në”, deklaron ajo.
SHBA është akuzuar se vazhdon të konsiderojë si zgjidhje shkëmbimin e territoreve, një skenar për të cilin presidentët Thaçi dhe Vuçic janë cilësuar si protagonistët kryesorë. Qeveria e re e udhëhequr nga LDK thotë se do të vendosë “linja të kuqe” në lidhje me shkëmbimin e territorit, por është treguar shumë e paqartë në lidhje me alternativat e tjera të mundshme përtej atyre që janë diskutuar deri më tani.
Milica Andrić, gazetare në portalin KoSSev me qendër në Mitrovicën e Veriut, pajtohet që situata politike sigurisht që nuk do të jetë e qëndrueshme me formimin e qeverisë së re.
Ajo thotë se qeveria e Avdullah Hotit është shpallur tashmë si “qeveria e marrëveshjes”, edhe pse nuk gëzon legjitimitet në mesin e qytetarëve.
“Angazhimi për heqjen e pengesave për dialog është madje një nga pikat e marrëveshjes së koalicionit ndërmjet Listës Serbe dhe LDK. Unë do të isha e befasuar nëse dialogu nuk nis brenda qershorit, por pritet që marrëveshja e arritur në atë mënyrë të mos zbatohet me lehtësi. Qeveria e Hoti është duke luftuar me problemin e legjitimitetit që nga dita e parë.

Prandaj, është e vështirë të pritet që ajo do të jetë në gjendje të zbatojë ndonjë marrëveshje që nuk nënkupton njohje të pakushtëzuar”, shpjegon Andrić;
Sidoqoftë, Emini thotë se qeveria e re pritet të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Thaçi, ndryshe nga ish-kryeministri Albin Kurti.
“Për të qenë më e saktë, unë pres që qeveria do t’i nënshtrohet Thaçit dhe do të ketë një ndikim minimal në formësimin e marrëveshjes përfundimtare, e cila pritet të arrihet përpara zgjedhjeve në SHBA. Qeveria do të jetë shumë e dobët dhe pa fuqi politike për t’i çuar gjërat përpara dhe madje edhe më të dobëta në parlament. Kështu, pritet të shërbejë si një mjet politik për të përfunduar marrëveshjen me Serbinë dhe më pas të bjerë – duke i hapur rrugën zgjedhjeve të ardhshme”, shpjegon Emini.
Sidoqoftë, ajo tregon për faktin se nëse dialogu nuk rezulton në marrëveshjen përfundimtare, qeveria e re do të shërbejë si një mjet për të forcuar kapjen e shtetit dhe për të forcuar kontrollin e liderëve të fortë që kërkojnë më shumë kontroll.
“Duke gjykuar nga ngjarjet e fundit, është e qartë se SHBA. do të jetë forca shtytëse e dialogut dhe se i takon BE-së t’i bashkohet karavanit ose të përjashtojë veten nga procesi”, përfundon Emini.
Drejt fillimit të dialogut

Hapi i parë, heqja e reciprocitetit, u ndërmorr tashmë. Hapi i dytë është, sigurisht, nisja e bisedimeve.
Sinjali i parë për rifillimin e dialogut u dërgua sot nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili bëri të ditur se Prishtina është gati që të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Serbinë pas heqjes së reciprocitetit.
“Në procesin e dialogut me Serbinë duhet lëvizur sa më shpejtë, që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s. Nuk kemi pse të hezitojmë, është një rrugëtim i sigurt për të cilin kemi shpresë dhe do të përmbyllet sipas vullnetit të qytetarëve të vendit”, tha Thaçi.
Deklarata e tij erdhi pas një interviste të presidentitAleksandar Vuçicc, i cili po ashtu bëri të ditur se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Ai tha se është duke pritur propozimin për kornizën e bisedimeve Kosovë-Serbi, për të cilat theksoi se mund të rifillojnë në qershor.
“Heqja e reciprocitetit na jep mundësi që të fillojmë bisedimet dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik mes nesh”, tha ai.
Rifillimi i dialogut po kërkohet gjithnjë e më me ngulm nga SHBA-ja. Grenell i ka komunikuar të dyja palëve që marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Të dy Grenell dhe Miroslav Lajčák, i dërguari i BE-së për dialogun, përgëzuan formimin e qeverisë së Kosovës duke thënë se ata shpresojnë se kjo do të çojë në rifillimin e dialogut dhe në arritjen e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës.
“Mezi presim që të punojmë nga afër Hoti për të lehtësuar dialogun,” tha Lajčák duke theksuar se një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës është e nevojshme për procesin e pranimit të Kosovës në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




