Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar heqjen e taksës për qumështin pluhur në produktet e importuara, por me një kusht. Sipas vendimit të sapopublikuar në Fletoren Zyrtare, kompanitë shqiptare që marrin nga jashtë produkte/nënprodukte të qumështit në të cilën ka përbërje qumësht pluhur, do të përjashtohen nga taksa vetëm nëse e deklarojnë në etiketë sasinë e pluhurit në produkt. Në këtë përjashtim përfshihet edhe hirra e qumështit dhe kremi i qumështit.
“Në rast të përdorimit të qumështit pluhur, hirrës së qumështit dhe krem qumështit, jo për qëllimet e veta dhe me destinacion të ndryshëm nga ai për të cilin përfitohet përjashtimi sipas kësaj pike, subjektet e përpunimit dhe prodhimit të këtyre produkteve detyrohen të paguajnë të gjithë vlerën e taksës për të cilën kanë përfituar përjashtimin”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar heqjen e kësaj takse edhe për prodhuesit vendas dhe eksportues, por që nuk ka një vendim zyrtar akoma. Kompanitë shqiptare paguajnë 100 lekë/kilogram.
Taksa e qumështit pluhur ka qenë shpesh burim debatesh midis ministrisë së Financave, bizneseve të qumështit dhe shoqatave agro, si një vendim që rrit kostot, dëmton prodhimin dhe rëndon konsumatorët fundorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.