Politike

Qeveria garanton kreditë e importuesve të mëdhenj të ushqimeve bazë

Qeveria do të dalë garante për kreditë e mara nga kompanitë importuese të produkteve ushqimore bazë për të siguruar sasinë e nevojshme në treg dhe mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Qeveria ka ndërhyrë te akti normativ të 18 marsit, përmes të cilit janë ngritur bordet e administrimit të çmimeve, duke shtuar pjesën që e bën garante për subjektet e shumicës së produkteve ushqimore bazë nëse këto të fundit marrin kredi.

“Me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg, Këshilli i Ministrave miraton garanci shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së subjekteve që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore bazë, si dhe kushtet e kriteret e marrëveshjes tip të garancisë dhe marrëveshjes tip të mirëkuptimit”, thuhet në vendim.

Kjo është hera e katërt që qeveria del garante për kreditë e marra nga bizneset nëpër bankat e nivelit të dytë. Në dy rastet e mëparshme, garancia u ofrua për bizneset e vogla dhe biznesin e madh të goditur nga pasojat e pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë