Kosova

Qeveria e Kosovës: Vlerësimet e diplomatëve perëndimorë për procesin e shpronësimeve në veri janë të pabazuara

Qeveria e Kosovës hodhi poshtë të enjten në mbrëmje vlerësimet e diplomatëve perëndimorë lidhur me procesin e shpronësimeve në veri të Kosovës, duke theksuar se reagimi perëndimorë “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.

Reagimi i qeverisë pasoi një deklaratë të përbashkët të ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me të cilën shprehën keqardhjen për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri.

Me 30 maj qeveria e Kosovës miratoi vendimin përfundimtar për shpronësim të disa pronave në komunat e Leposaviçit dhe Zubin Potokut, të banuara me shumicë serbe, në funksion të realizimit të “Projekteve Infrastrukturore të Interesit Publik” në këto komuna.

Shpronësimet në veri patën ngjallur reagimin e qytetarëve serb të cilët thanë se autoritetet në Prishtinë po synojnë të ndërtojnë baza të policisë në tokat e shpronësuara. Disa nga pronarët iu drejtuan gjykatave dhe të paktën 8 hektarë toke u përjashtuan nga shpronësimi.

Në një komunikatë të përbashkët, diplomatët perëndimorë thanë se “qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit.

Diplomatët thanë se është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që veprimtaritë e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve të respektohen plotësisht” thuhet në reagimin e diplomatëve, në të cilin theksohet se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës që dalin nga plani i Martti Ahtisaarit, në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Por qeveria e Kosovës përmes një reagimi shprehu keqardhjen për deklaratën e diplomatëve perëndimorë. Sipas qeverisë, me ligjet e Kosovës lejohet marrja e vendimit përkundër procedurës të nisur para gjykatave.

“Në vendimin përfundimtar, qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”, thuhet në reagimin e qeverisë, në të cilin thuhet se ligji për shpronësim është zbatuar njësoj si në tërë komunat tjera të Kosovës.

“Ndërtimi i projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu stacionet e policisë, do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë qëllime të ligjshme dhe mese legjitime që i kontribuojnë forcimit të zbatimit të ligjit e mbi të gjitha, sigurisë së qytetarëve”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Edhe Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas miratimit të raportit për Kosovën në muajin mars, që i hapi rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë Këshill, kërkonte që shpronësimet e tokave në veri të Kosovës të kryhen “me respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me planin e zotit Ahtisaari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë