Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se ka vendosur marzhë tregtare për produktet e naftës që përdoren për transport.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.
Hajdari tha se vendimi për caktimin e masave mbrojtëse për produkte të naftës që përdoren për transport u mor me qëllim të “mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë në tregun vendor”.
“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”, shkroi ajo në Facebook.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Sipas Hajdarit, parashihet që të shtohen inspektimet nga Inspektorati i Tregut lidhur me zbatimin e vendimit. Çmimi aktual i naftës me pakicë është rreth 1.25 euro për litër.
Edhe në të kaluarën, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, tashmë kryeministër në detyrë, kishte vendosur masa mbrojtëse për naftën.
Më 2023, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga naftëtarët, të cilët kishin argumentuar atëbotë se vendimi ishte marrë bazuar në inspektimin e disa kompanive që “abuzojnë me çmimin e naftës” dhe se vendime të tilla “po dëmtojnë të gjithë sektorin”.
Edhe më 2022, Qeveria kishte vendosur masa mbrojtëse për produkte të naftës duke përcaktuar një çmim tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të kësaj lënde./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




