Kosova

Qeveria e Kosovës hedh poshtë kritikat: Kurti shfrytëzoi të drejtën e tij për të votuar

Të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi drejt Tiranës me vetura zyrtare, edhe pse nuk ishte një udhëtim zyrtar. Kurti, që ka shtetësi të dyfishtë, shkoi atje për të shfrytëzuar të drejtën e votës dhe për të mbështetur tre kandidatë të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, të cilët i ka përkrahur edhe gjatë fushatës zgjedhore në Shqipëri.

Të tre këta anëtarë të partisë së Kurtit, kandiduan si kandidatë të pavarur në këto zgjedhje. Vota e Kurtit nuk ndikoi shumë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri, por ngjalli shumë reagime.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti ka shfrytëzuar një të drejtë demokratike sikurse është e drejta për të votuar, e cila i takon që nga koha kur ai është pajisur me pasaportë shqiptare.

“Për kryeministrin Kurti, Shqipëria mban një vend të veçantë. Bindjet e tij për raportin në mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të njohura. E kritikat për të duken që në thelb ta kenë bindjen e tij, e jo aq veprimin e djeshëm, pasi shumë qytetarë me të drejtë vote nga Republika e Kosovës kanë votuar dje në Shqipëri”, tha Kryeziu.

“Kryeministri është edhe qytetar. Po të ishte e mundur të ndahej kryeministri nga qytetari, do ta bënim. Proceduralisht, kryeministri Kurti me shumë dëshirë do të votonte në këto zgjedhje si qytetar privat, por një gjë e tillë pamundësohet nga protokollet e sigurisë”, shtoi ai.

Analisti politik në Kosovë, Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk do të kishte problem nëse kryeministri Kurti do të votonte në Shqipëri si një qytetar që e ka shtetësinë e Shqipërisë.

Por, problematike sipas tij është se ai ka shkuar atje të votojë si kryeministër i Kosovës.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka treguar papërgjegjshmëri politike karshi qytetarëve të Kosovës, të cilët e kanë zgjedhur që ai të punojë në Kosovë, mirëpo ai ka ndërhyrë në procesin zgjedhor në Shqipëri.

“Është ndërhyrje, vetë ideja se është themeluar si një degë e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe logjikshëm është ndërhyrje në proces, duke pasur parasysh gjithnjë që Shqipëria është një shtet i pavarur, që funksionon bazuar në ligjet dhe në Kushtetutën e vet dhe përpjekja për të interferuar apo ndërhyrë atje, nëpërmjet krijimit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka si të quhet ndryshe, përveç ndërhyrje”, tha Mushkolaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, u kritikuan edhe pjesëmarrjen e tyre në fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Përveç kryeministrit Kurti, edhe zyrtarë të partisë së tij dhe partive të tjera në Kosovë, kanë pasaporta të Shqipërisë.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një vizite në Bruksel, ka komentuar votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, duke thënë se Kurti “po mburret se ka votuar në Shqipëri, që do të thotë, se ata de fakto duan të thonë se nuk ka rëndësi a je në Tiranë apo në Prishtinë sepse ky është një shtet”.

Ndryshe, në rajon, edhe Milorad Dodik, anëtar serb i presidencës treanëtarëshe në Bosnje e Hercegovinës voton në zgjedhjet në Serbi.

Njëjtë edhe deputeti i Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës, Dragan Çoviç, shfrytëzon të drejtën për të votuar në Kroaci. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk ka garuar me partitë e veta në këto shtete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë