Qeveria do të dalë në tregjet ndërkombëtare për të kërkuar minimalisht 500 milionë euro borxhe. Projektligji për të dalë në këto tregje është miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure dhe pritet që të paraqitet në Kuvend brenda javës së ardhshme.
Ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Delina Ibrahimaj tha para gazetarëve në përfundim të mbledhjes së qeverisë se synohet që Eurobondi të emëtohet brenda këtij muaji, ose në fillim të muajit nëntor. Shuma e kërkuar do të jetë nga 500 deri në 700 milionë euro.
Ibrahimaj u shpreh se do të synohet emëtimi i këtij Eurobondi në momentet kur tregjet ndërkombëtare financiare kanë interesat e ulta, megjithëse njohu vështirësitë dhe problematikat në këto tregje për shkak të krizës energjitike dhe politikave monetare të bankave qendrore që kanë shtrënguar kriteret e kreditimit.
Ibrahimaj thotë se dalja në tregjet ndërkombëtare do të jetë edhe një mundësi e mirë për të testuar besueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe gatishmërinë e këtyre tregjeve për të investuar në Shqipëri.
“Në të gjitha rastet ka qenë një test i Qeverisë për të testuar tregjet dhe gatishmërinë e tyre për të financuar qeverinë shqiptarë. Ndër vite shuma e marrë është rritur dhe interesat janë ulur”, tha ajo.
Paratë e siguruara nga ky Eurobond, sipas ministres Ibrahimaj do të përdoren për mbështetje buxhetore, për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm në fushat si arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.
Kjo është hera e pestë që Shqipëra del në tregjet ndërkombëtare duke emëtuar një Eurobond. Eurobondi i fundit i Shqipërisë mori miratimin nga tregjet e kapitaleve në qershor 2020 në kërkim të financimit të ekonomisë post-Covid. 650 milionë euro ishte vlera që vendi ynë kërkoi në tregjet ndërkombëtare në formën e eurobondit, 250 milionë euro për të financuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, që ishte në vlerën e 450 milionë euro me normë interesi 5.75% dhe që i mbaroi afati i shlyerjes në 12 nëntor 2020, ndërsa pjesa tjetër për tërmetin që goditi Shqipërinë vitin e kaluar dhe shpenzimet.
Në vitin 2010 Shqipëria shënoi daljen e saj të parë në tregjet e kapitalit për të marrë një Eurobond me vlerë 300 milionë euro, arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe një afat maturimi 5-vjeçar.
Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015 për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75% me 5 vjet maturim dhe dalja e tretë në 2018 mban interesin më të ulët historik të arritur nga Shqipëria në tregjet e kapitalit. Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro me një kupon fiks prej 3.55% dhe afat maturimi 7-vjeçar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.