Nga Gazeta Si- Mbyllja e TikTok në janar ka shqetësuar jo pak influencuesit por edhe përdoruesit. Kjo lëvizje e qeverisë, që erdhi pas konsultimeve me prindërit e nxënësve ka vënë në lëvizje përdoruesit për të gjetur një platformë tjetër të ngjashme, disa për të fituar paratë që fitonin në TikTok e disa të tjerë për të kaluar kohën.
Dhe zgjidhjen e kanë gjetur tek ‘Clapper’ një aplikacion i krijuar që prej 2020 por që ka fituar shpejt përdorues.
Në disa postime të shpërndara në Instagram, TikTok-eri i njohur Kozak Braçi tregon hap pas hapi se sa para ka fituar nga ky aplikacion, në vetëm pak ditë, duke bërë edhe ironi me përdorues të tjerë që, sipas tij, ishin shprehur të lumtur për mbylljen e TikTok-ut. Ai gjithashtu i fton të gjithë që ti bashkohen në aplikacionin e ri.
Në video të ndryshme në TikTok, edhe përdorues të tjerë bëjnë thirrje që të gjithë ta shkarkojnë si aplikacion.
Në pamje të parë, ‘Clapper’ është një ‘kopje’ e TikTok, duke u lejuar përdoruesve të krijojnë dhe ndajnë video të shkurta, njësoj si TikTok.
Edhe pse aplikacioni u hap në vitin 2020 me më pak se 10,000 përdorues aktivë ditorë, kjo shifër u rrit në mënyrë të qëndrueshme deri në vitin 2022, kur arriti në më shumë se 100,000 përdorues aktivë ditorë
Në vitin 2023, ky numër u trefishu në 300,000 përdorues në ditë dhe ndonjëherë aplikacioni është renditur si aplikacioni më i mirë i rrjeteve sociale në Apple Store.
Ai u zhvillua nga Clapper Media Group, një kompani në SHBA e themeluar në vitin 2020 nga sipërmarrësi dhe investitori në teknologji, Edison Chen.
Kompania nuk e sheh veten si një konkurrent të drejtpërdrejtë të gjigantit në pronësi kineze TikTok, por si një vend ku komunitetet mund të lidhen përmes videove të shkurtra dhe të modifikuara.
Ndërsa Chen vëzhgoi rritjen e TikTok gjatë viteve të fundit, ai pa se si shumica e rrjeteve sociale synonin përdoruesit më të rinj kështu që ai projektoi një vend ku përdoruesit më të rritur mund të lidheshin me komunitetet përmes videove me formë të shkurtër dhe transmetimit të drejtpërdrejtë.
Aplikacioni i lejon përdoruesit të filtrojnë sipas vendndodhjes dhe të lidhen me krijuesit lokalë. Një ndryshim tjetër është se krijuesit nuk paguhen për shikime si TikTok ose YouTube, ku krijuesve u jepet një pjesë e fitimeve bazuar në numrin e shikimeve. Në vend të kësaj, Clapper ndihmon krijuesit të vendosin fitimin e parave të tyre përmes programeve të anëtarësimit ose shitjes së gjërave përmes platformës.
Me programin Earn with Friends, për shembull, sa herë që dikush që ju ftoni në Clapper bashkohet dhe fiton para, do të fitoni edhe ju!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.