Para

Qeveria arkëtoi 60 mld lekë dhe shpenzoi 45 gjatë janarit

Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin janar, qeveria ka arkëtuar 60.8 miliardë lekë dhe ka shpenzuar 45 miliardë, duke rezultuar me një suficit prej 15 miliardë lekësh.

Shifrat e ministrisë së Financave tregojnë se në një muaj qeveria ka shpenzuar vetëm 500 mln lekë për investime kapitale, ndërsa 2024-n e mbylli me realizimin e 98% të planit të shpenzimeve.

Tatimet mblodhën më shumë para gjatë janarit, 23.8 mld lekë. Për janarin, tatim-fitimi që një vit më parë ishte 2.8 mld lekë, rezulton vetëm 626 mln lekë, por MF thekson se këto janë të dhënat paraprake.  

TVSH-ja arkëtoi 11.3 mld lekë, 34% më shumë se janari i shkuar. Tatimi mbi të ardhurat personale futi në arkën e shtetit 7.1 mld lekë, me rritje vjetore 25%. Tatimi mbi fitimin 626 mln lekë

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 11.3 miliardë lekë, 2.9 miliardë lekë ose 34.2% më shumë se Janari 2024, dhe realizim sa plani i periudhës. Rimbursimet për periudhën Janar 2025 janë 710 milionë lekë, në përputhje me planin e periudhës.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 626 milionë lekë, ndërkohë janarin e shkuar ky zë arkëtoi 2.8 mld lekë.

Taksat nacionale, për periudhën Janar 2025, u realizuan në masën 4.7 miliardë lekë, 397 milionë lekë ose 9.2% më shumë se Janari 2024 , si dhe 219 milionë lek ose 4.8% më shumë se plani për Janarin 2025.

Doganat kanë arkëtuar 16.4 mld lekë gjatë janarit, ku 10.7 mld kanë ardhur nga TVSH-ja në import e cila është rritur me 8.5% nga viti i shkuar. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 4.9 miliardë lekë, 13.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 184 milionë lekë, sa e njëjta periudhë e një viti më parë dhe realizim sa plani i periudhës. Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 586 milionë lekë, me një realizim në masën 100% kundrejt planit.

Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH u realizuan në masën 16.2 miliardë lek, 1.5 miliardë lekë ose 9.8% më shumë se Janari 2024, si dhe realizim në masën 99.8% të planit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë