Ekonomi

Qeveria ‘aktivizon’ shpenzimet kapitale, por buxheti rezulton me 70 mld lekë suficit

Nga Gazeta 'SI' - Arka e shtetit ka rezultuar me një suficit 70 mld lekë për periudhën janar-shtator.

Sipas të dhënave nga ministria e Financave qeveria ka nisur të intensifikojë shpenzimet kapitale gjatë muajit të fundit pas investimeve minimale për gjatë vitit, por përsëri buxheti ka dalë ‘me fitim’.

Nga janari në shtator qeveria ka arkëtuar 528.4 mld lekë (11%) nga taksat dhe ka shpenzuar 459 mld (+8%).

Të ardhurat

Ministria e Financave tregon se nga Doganat janë mbledhur 171 mld lekë, me rritje vjetore 7% por realizim 98% të planit të periudhës. TVSH-ja në import ka arkëtuar 115 mld lekë, 7% më shumë se një vit më parë. Akciza ka arkëtuar 47.2 mld lekë ose 9.5% më shumë se një vit më parë. Renta minerare 2 mld lekë. Të ardhurat nga taksatdoganore janë arkëtuar në vlerën 6.6 miliardë lekë.

Tatimet kanë mbledhur 170.6 mld lekë për periudhën me rritje 12% nga një vit më parë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në masën 43 miliardë lekë, ose 20% më shumë se 9-mujori 2023. Tatimi mbi fitimin 43.3 mld lekë, tatimi mbi të ardhurat personale 50 mld lekë, taksat nacionale 34 mld lekë.

Rimbursimet për periudhën 9-mujore 2024 janë 19.1 miliardë lekë, 31% më shumë se 9-mujori 2023.

Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga administrata tatimore, ISSH dhe FSDKSH, u realizuan në masën 118 miliardë lekë.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 459 miliardë lekë me rritje 8% duke përmbushur 59.5% të buxhetit (ndryshuar me akt normativ në muajin gusht). Shpenzimet janë realizuar në masën 95% të planit të periudhës.

Shpenzimet korente, për periudhën 9-mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 411.2 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 8.4% më i lartë ose rreth 31.8 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 9-mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 47.7 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.8% më i lartë ose rreth 1.3 milionë lekë më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë