Para

Qeveria 4000 lekë mbështetje biznesit prodhues për shpenzimet e protokollit anti COVID-19

Megjithëse kanë kaluar 8 muaj prej zyrtarizimit të pandemisë dhe 5 muaj nga nisja e zbatimit të protokollove anti COVDI-19 nëpër biznese, qeveria ka vendosur vetëm sot (të mërkurën) të mbështesë vetëm me 4000 lekë bizneset e  vogla dhe të mesme prodhuese për shpenzimet e protokollit.

Sipas VKM-së, ndihma shkon për bizneset e mesme dhe të vogla dhe është vetëm për dy muaj, nëntorin dhe dhjetorin, përkatësisht nga 20 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës, pra 40 mijë në total.

Kjo incentivë do i kushtojë arkës së shtetit rreth 187 mln lekë, që do ti marrë nga programi i nxitjes së punësimit. Ndihma financiare u jepet ndërmarrjeve për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.

Skema mbështetëse llogaritet e jepet për ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin qershor 2020, të dorëzuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

 Ndërmarrja për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë përfiton vetëm një herë ndihmën financiare. Vendimi sqaron se në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para. Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë. Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 (zero) lekë në listëpagesë.

Nuk përfitojnë nga ndihma financiare ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit e që nuk kanë dorëzuar deklaratë vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).

Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare kryhet nga ana e ndërmarrjeve në sistemim e-filling, duke deklaruar:

a) NIPT-in e përfituesit;

b) numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti;

c) bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;

ç) IBAN-in e llogarisë bankare.

Për të shmangur abuzimet, tatimet, duke përdorur analizën e riskut, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e aplikimit, mund të kryejnë edhe verifikime të ndërmarrjeve përfituese, nëse përmbushen kriteret. Lista e ndërmarrjeve përfituese publikohet në ëebsite-in e administratës tatimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë