Partia Demokratike, që është rreshtuar në krah të grupit të artistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e një godine të re kishte paralajmëruar rezistencë në Kuvend këtë të enjte për të mos lejuar mazhorancën që të kalojë projektligjin e futur në kalendar me procedurë të përshpejtuar.
Kur seanca nisi në të mungonte Kryeministri Edi Rama, që ishte zhvendosur disa qindra metra më tutje për të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Brendshme për bilancin gjashtëmujor të operacionit “Forca e Ligjit”.
Opozita kërkoi që në fillim praninë e Kryeministrit Edi Rama. I pari që mori fjalën ishte Edmond Spaho. Foli me tone të ashpra ndaj rivalëve politikë dhe Kryeministrit Edi Rama. Taulant Balla iu përgjigj nga vendi, ku duke iu drejtuar kreut të seancës, Gramoz Ruçi njoftoi kërkesën për Byronë për ndëshkimin e Spahos. Sipas Ballës, Spaho kishte përdorur një gjuhë të papranueshme në Kuvend.
Mazhoranca kërkonte që të vazhdohej me rendin e ditës në seancë dhe të diskutohej projektligji për Teatrin Kombëtar, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim kishte paraqitur disa pyetje për këtë çështje drejtuar Qeverisë. Basha kërkoi nga foltorja që mazhoranca t’u përgjigjej këtyre pyetjeve.
“Mos t’u përgjigjesh as pyetjeve të opozitës ç’kuptim ka?! Çfarë mendoni se jeni? Po i vini flakën Kuvendit, ndaj thirrini mendjes!”, deklaroi kreu i PD-së.
Kërkesën për t’iu përgjigjur pyetjeve të depozituara e përforcoi edhe Luan Rama.
“Përgjigjia ndaj pyetjeve është minimum i etikës së Kuvendit. Le të zhvillojmë një seancë normale. Gjykoj që nuk ka arsye që të mos iu përgjigjen pyetjeve. I kanë kapacitetet intelektuale për t’ju përgjigjur pyetjeve”, tha ai.
Basha ripërsëriti akuzat e opozitës se projekti për Teatrin e ri do të pastrojë paratë e drogës.
“Keni sjellë projektligj për të pastruar 200 mln euro të drogës dhe po përdorni procedurën me emergjencë”, deklaroi ai.
Jashtë sallës së seancës, Berisha fliste përvijonte gjuhën e ashpër të opozitës ndaj mazhorancës dhe Kryeministrit Rama.
“Në vend që të paraqitet sot në Kuvend një program, një plan i studiuar për të adresuar 13 kushtet e caktuara nga Këshilli i Ministrave, paraqitet ligji i ekzekutimit të një simboli të arrirë kombëtar, të Teatrit Kombëtar, nga një njeri që udhëhiqet nga urrejtja patologjike ndaj çdo gjëjë në tërësi po veçanërisht ndaj çdo gjëjë në artin e kulturës shqiptare, pasi vetë, i mbetur në komplekset primitive të një adolesheni të droguar, shkarravit gjithë jetën pa prodhuar dot një sukses të vetëm”, deklaroi ish-Kryeminsitri para gazetarëve.
Brenda sallës u përgjigj Arben Ahmetaj. Mbrojti projektligjin duke përsëritur qëndrimin e mazhorancës se godina aktuale e teatrit nuk përmbush asnjë kriter dhe me investimin e ri nuk shpenzohet asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit.
“Ajo godinë nuk i përmbush kushtet për të ushtruar art në favor të qytetarëve. Prona e teatrit është pronë publike, ku artistët përfitojnë 4 salla nga godina e re. Nuk ka kate që do t’i shfrytëzojë privati në këtë pronë. Me godinën e re do të kemi një teatër 8 herë më të madh”, deklaroi Ahmetaj.
Projektligji u mbrojt edhe nga Mirela Kumbaro. Foli për një gjendje të rrënuar të godinës.
“Teatri është në gjendje emergjence. Fakti që rri në këmbë është shfrytëzuar për shfaqje, por është argumenti më mjeran duke pritur ditën që mund të na zërë brenda. Miu ishte bashkëjetues me artistët”, tha ajo.
POr, Albana Vokshi nga Partia Demokratike thotë se shembja e teatrit nuk po bëhet për shkak të gjendjes së godinës së tij, por për të ngritur kulla në territorin e Teatrit Kombëtar.
“Janë tre kulla brenda territorit të Teatrit Kombëtar që do të ngrini ju”, u shpreh deputetja e PD.
Jashtë sallës vazhdonte protesta e nisur nga artistët dhe qytetarë që kundërshtojnë shembjen e Teatrit. Përfaqësues të shoqërisë civile shprehen të vendosur kundër projektligjit të Qeverisë dhe kërkojnë tërheqjen e saj nga ky plan. Premtojnë vijimin e protestës edhe në rast të kalimit të projektligjit.
“Është një ligj i papranueshëm në çdo logjikë. Shqiptarët janë larë në gjak ndër shekuj për një universitet, për një teatër. Nëse projekligji votohet do të ndërmarrim hapat tanë, por si gjithmonë në mënyrë civile. Tërheqjen e ligjit do ta konsideroja një qytetari. Ne fjalën tonë e kemi thënë”, deklaroi aktori Neritan Liçaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.