Treg

Qeset plastike, pse Rama ndryshoi mendje

Nga Sabina Veizaj-Luani nxjerr me droje nga kolia e qeskave plastike një grumbull të vogël dhe vazhdon flet me klientët e tij.

 

“ Do t’i peshojmë artikujt dhe do ti vëmë në të njëjtën qeskë që të mos harxhojmë shumë. Janë bërë me 50 lekë copa.” – thotë ai.

 

Luani duke shitur

 

Luani një burrë tek të 60-at shet fruta-perime në një mjedis mbi tunelin kur shkon për tek “Kodra e Diellit” në kryeqytet.

 

Personat që shkojnë tek Luani në 90% të rasteve janë klientët e tij të përhershëm, për këtë ai druhet t’ju shesë qeset. Muajin e parë ai e ka lënë në dorë të klientëve nëse ata vetë do të lënë monedhat që u korrespondojnë qeseve që do të marrin për të transportuar ushqimet e blera. Por kjo është kosto për Luanin.

 

Megjithatë-“Ne dikur me kujdes në një trastë i fusnim produktet me radhë nga më i forti tek ai delikati”- kujton Luani.

 

Klientët mjaftohen që perimet të mos u bien rrugës, por janë të gatshëm të paguajnë për çdo qeskë plastike të blerë.

 

Por ndoshta nuk do të kalojnë dhe shumë kohë, ndoshta brenda vitit biznesi i prodhimit të qeseve plastike në vend duhet të mbyllet. Sipërmarrësit i druhen një vendimi të dytë për ndalimin e përhershëm të përdorimit të tyre në masë.

 

Vullnet Haka riciklues dhe prodhues plastike thotë se qeveria mund të ndryshojë sërish mendim në lidhje me përdorimin e qeseve plastike edhe pasi  vendosi kritere që qeset të cilat po prodhohen aktualisht të jenë të biodegradueshme.

 

“Dy javë pasi doli VKM (në maj) për qeset e biodegradueshme në përputhje me praktikat e BE-së, Kryeministri Edi Rama nga landfilli i Durrësit deklaroi se “do t’i ndalojmë fare qeset. Vendim i dhimshëm është, por do ti ndalojmë”.

 

Kryeministri Rama në Landfillin e Durrësit

 

“Pa marrë në konsideratë fare investitorët, vetëm me një impuls të çastit”- thotë sipërmarrësi Haka duke shtuar se “nëse ndodh kjo ky lloj biznesi vdes, bashkë me familjet që punojnë në të”.

 

Në biznesin e riciklimit janë  të punësuar në mënyrë të drejpërdrejtë mbi 2300 njerëz , por në sektorin e riciklimit ka një rrjet individësh grumbullues të cilët mendohet të jenë 35 mijë në të gjithë Shqipërinë. Sipas Hakës, rrjeti  i madh i grumbulluesëve janë një vlerë e shtuar jo vetëm në këtë industri, pasi ata as nuk dalin të lypin, as nuk dalin të vjedhin, as nuk i bëjnë presion çdo ditë qeverisë se jemi të papunë dhe nuk kemi shanse për të jetuar, etj, por kanë zgjedhur këtë rrugë të punës me dinjitet dhe përkushtim individual. “Jo vetëm që zgjidhin problemin e tyre ekonomik e social, por rivitalizojnë burimet natyrore që ne i përdorim sërish dhe mbajnë gjallë sistemin e riciklimit. Pasi pa lëndë të parë fabrikat e riciklimit nuk kanë me se punojnë.“

 

Xhiroja vjetore që realizon gjithë industria e riciklimit; metale, metale me ngjyra, letër, plastikë, etj shkon në mbi 150 mln euro dhe industria e riciklimit të plastikës zë mbi 30%.

 

Aktualisht në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin e riciklimit të plastikës 25 kompani, 10 prej të cilave janë kompani të mëdha. 

 

Fabrikat e riciklimit janë vendosur në gjithë Shqipërinë; Tiranë, Durrës, etj, në vendet e dedikuara për këtë lloj biznesi, larg qendrave të banuara.

 

Por pse ndryshoi mendje kryeministri?

 

Që  ndryshimi i mendjes nga kryeministri nuk ishte një moment i beftë këtë e përforcoi  edhe ministri i  financave gjatë një takimi me grupet e interesit.”Do bëhemi vendi i parë në Europë që heq qeset plastike.”- citon Haka deklartën e zotit Ahmetaj.

 

Por sipas tij, vendet e vetme në botë që kanë ndaluar me ligj qeset plastike janë disa vende diktatoriale në Afrikë.

 

Sepse ndryshoi mendje Kryeministri Rama vetëm dy javë pasi mori vendimin për prodhimin e qeseve plastike të biodegradueshme, askush nuk e di. Si Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, si Ministria e Mjedisit, po ashtu edhe ajo e Ekonomisë dhe Financave thonë se nuk ka një plan konkret të shprehur në afate kohore përsa i përket heqjes përfundimtare nga qarkullimi të qeseve plastike të biodegradueshme. Sipas institucioneve qeveritare, kjo është një ambicie e kryeministrit duke marrë në konsideratë ndotjen globale të mjedist dhe shifrat alarmante që tregojnë ndotjen nga plastika.

 

Nga një përllogaritje që kanë bërë grupet e interest së bashku me Ministrinë e Mjedisit, rezulton se në ditë prodhohen 4mln e 900 mijë qese plastike.

 

Aktualisht në treg operon vetëm një kompani e madhe që riciklon letrën, Edipaku. Kanë qenë dy, por kompania e Elbasanit ka falimentuar. Në treg aktualisht nuk ka asnjë kompani të re të regjsitruar për riciklimin e letrës.

 

Nëse  automatikisht fabrikat e riciklimit të plastikës dhe prodhimit të qeseve do të mbylleshin atëhërë të paktën pjesa  e tregut prej 45 milion euro do ti kalonte kompanive të letrës.

 

foto ilustruese

 

Qeveria e ka një argument të fortë tek mendon për heqjen nga qarkullimi të qeseve plastike, për t’i paraprirë ndotjes së tmerrshme me shifra alarmante.

 

Në Shqipëir në vit prodhohen rreth 120 ton mbetje plastike dhe fabrikat e riciklimit prodhojnë deri në 30 për qind  të kapacitetit. Gjithë pjesa tjetër mbetet për tu asgjësuar në qiell të hapur. Sipas stduimeve ndërkombëyare plastika është bërë një nga ndotësit më të mëdhenj të  mjedisit duke shkatërruar biosistemin, dhe me pasajoa fatale për shëndetin e njeriut. Riciklimi i tyre në fabrika me kapcitet 100 % dhe prodhimi i qeseve të biodegradueshme do të mund ta përmirësontë ndjeshëm mjedisin pa i detyrar bizneset të mbyllen.

 

Për një moment koha që ajo i la në dispozicion biznesit për të prodhuar qese të biodegradueshme në mënyrë që sipërmarrësit  të mos falimentojnë, as familjet të mos mbeten pa punë, u duk si zgjidhja më e mirë.

 

Foto ilustruese

 

“Në Ferizaj-prodhimi i ambalazheve, investim holandez prodhon qese buke për eksport 450 ton në muaj sepse holandezët kanë kulturë që e fusin bukën në frigorifer me gjithë qese.” Jep një shembull Haka.

 

Por fakti që qeveria ndërroi mendje kaq shpejt sipas tij lidhet me një arsye tjetër: kjo bëhet për të favorizuar biznesin e amballazhit të letrës pasi letra e ka koston 4-6 herë më të lartë se plastika dhe  qeveria po bën propagandë për konkurrencë të paligjshme. Përdor letrën… favorizon letrën”

 

 Përfaqësuesi i kompanisë Aimar që prodhon ambalazh letre më shumë dhe një pjesë të vogël qese plastike e shikon të gabuar synimin e qeverisë për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike në shopping. “Biznesi dëmtohet se ka një investim të jashtëzakonshëm. Në vendet e botës për arsye të caktuara merren vendime për ndalimin e një lloj biznesi për një periudhë të caktuar kohe, por qeveria në bazë të bilanceve të bizneseve në fjalë, i rimburson tërësisht fitimin. Por i jepet një kohë biznesit sa ligji të hyjë në fuqi dhe rimburson. Në Itali ka periudha që shteti ndalon për 2-3 muaj anijet e peshkimit për gjueti sepse dëmtojnë vezët e peshkut në kohë riprodhimi, por qeveria rimburson aq sa do të fitonte nëse do të punonte ky biznes.”

 

Sipas tyre, nëse qeveria është e paqëndrueshme në vendimet që merr, ata do ti drejtohen gjykatës. Kjo industri është duke bërë një skanim të situatës së bizneseve që do tia paraqesë qeverisë. “Nëse qeveria do ta mbyllë, të na kthejë lekët.”- thotë Haka duke shtuar se “ne nuk mund të investojmë në pasiguri totale”.

 

A është qeska e biodegradueshme një zgjidhje e mirë?

 

Plastika në përgjithësi është një kërcënim për mjedisin dhe për të gjitha format e jetës. Çdo ditë lndfilldet mbushen me tipe të ndryshme të plastikës vetëm prej keqpërdorimit të saj. Ngjashëm, edhe trupat e ujit janë në pozitë të njëjtë për shkak të ndotjes së shkaktuar nga plastika. Edhe kur flasim për plastikën e biodegradueshme, në fund të fundit ajo plastikë mbetet. Sipas studimeve plastika është një substancë organike që fitohet fillimisht nga përpunimi i karburantit. Një qese plastike zakonisht mund të përdoret për vetëm 30 minuta, por do të duhen 500 vite për t'u dekompozuar. Plastika është rezistente dhe ka lakueshmëri të dukshme, për këte arsye plastika ka arritur praktikisht nivele aplikimi ne çdo fushë. Biodegradimi që i bëhet plastikës i duhet 500 deri në 1000 vjet.

 

Hulumtuesit kanë raportuar se edhe procesi i grumbullimit të plehut nuk është i favorshëm gjatë gjithë kohës për shkak të përmbajtjes së polietilenit të plastikës. Përveç kësaj, mangani ngadalëson ose pothuajse kontrollon mekanizmin e dekompozimit. Përveç kësaj, disa plastika popullore të biodegradueshme , të tilla si qeset, gjithashtu mund të kontribuojnë në ndotjen si rezultat i toksicitetit për shkak të elementeve të plastikës në përmbajtje dhe të kobaltit ose edhe manganit. Edhe në rastin e qeseve të biodegradueshme, do të duhet të shqyrtohen gjëra të ndryshme përpara se të përdoret.

 

Megjithatë për ricikluesit,  të dyja ambalazhet si plastika dhe letra kalojnë në proces riciklimi, por letra ka avantazhin që në kontakt me ujin shpërbëhet dhe humbet e nuk bie në sy. Kurse plastika bie në sy, por kjo, sipas tyre, nuk do të thotë që letra e ndot mjedisin më pak. “Diferenca qëndron edhe tek prodhimi i ambalazhit të plastikës; kostot janë shumë më të ulta qoftë edhe mjedisore edhe në aspektin e burimeve natyrore që ti përdor. Por ambalazhi i letrës ka kosto ; ose do të përdorësh pyjet, ose do të përdorësh gjithsesi dru të kultivuar. Çlirimi i energjisë, CO2 dhe e elementëve të tjerë të dëmshëm për mjedisin dhe format e jetës janë shumë më të larta në rastin e letrës se sa të plastikës.”

 

Sipas ekspertëve të mjedisit në Shqipëri, qeset plastike të biodegradueshme janë një zgjidhje shumë e mirë krahasimisht me qeset e përdorura më parë të cilat jepeshin falas për përdorimin e përditshëm.

 

Sa do t’i kushtojë kosumatorit

 

Duke marrë në konsideratë se në vend prodhohen dhe konsumohen mestarisht në ditë 4,9 milion  qese plastike, të cilat me vendimin më të fundit të kryeministrit Rama për të qenë të biodegradueshme ato kushtojnë për konsumatorin 5 lekë/ copa, mendohet që të qarkullojnë në ditë 24,5 milion lekë të cilat paguhen ekstra nga konsumatori.

 

 

Sipas ricikluesit Haka, ka një hile përsa i përket mënyrës së përllogaritjes së qeses plastike krahasuar me atë të  letrës. “Koston e ambalazhit të letrës nuk mund ta nxjerrim nga çmimi për kilogram, këtu është hilja e vogël. Në 1 kg qese letre marrim 10 copë, në një kg qese plastike mund të marrim 80 copë. Nëse e pjesëtojmë për kg dhe numër copësh këtu kuptohet realisht kostoja.”

 

Për të  ulur ndotjen nga plastika u vendos  që qeset të blihen nga qytetari, si një mënyrë të cilën qeveria e gjykon  parandaluese. Por nga ana tjetër u krijuara një treg i cili, siç shifrat tregojnë, gjeneron të ardhura për bizneset që shesin qeset të paktën 24.,5 milion lekë në ditë. Kjo vlerë e madhe e shoqëruar edhe me një xhiro vjetore prej 45 mln euro  që fabrikat e riciklimit realizojnë në vit janë një llokmë  e madhe për çdo bizines. Nëse fabrikat e riciklimit do të detyrohen të mbyllen ashtu siç befas ndryshoi mendjen kryeministri  “që në treg të mos përdoren  më qeska plastike as të biodegradueshme”, atëherë kjo tortë parash do t’i kaloj dikujt tjetër. Ricikluesit thonë se"po favorizohen bizneset e letrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë