Ka ndodhur

Qëllon me pistoletë të riun dhe një kalimtar rasti në Tropojë, shpallet në kërkim

Gazeta Si – Një konflikt për motive të dobëta ka degraduar në përplasje me armë zjarri në qytetin e Tropojës. Një 49-vjeçar, i shpallur tashmë në kërkim nga policia, ka qëlluar me pistoletë një të ri dhe një kalimtar të rastit.

Policia e Shtetit bën me dije se rreth orës 20:10, në Bajram Curri, në oborrin e një lokali, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi B.S., 49 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, në këmbë, shtetasin A.B., 28-vjeç.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, 32-vjeçari me inicialet G.B., që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, është bërë rrethimi i zonës dhe vijojnë kontrollet për të bërë të mundur kapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe çdo provë tjetër, që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë