Politike

Qëlloi me grusht Berishën, PD: S’ka dokument zyrtar që Gerti Shehu është i sëmurë mendor

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Floriana Garo, ka mbajtur të njëjtin qëndrim si një ditë më parë në konferencën për shtyp të Sali Berishës lidhur me incidentin në protestën e 6 majit ku ai u qëllua me grusht nga një qytetar.  

“Pas sulmit brutal fizik me motive politike kundër Kryetarit të Partisë Demokratike Prof Dr Sali Berisha nga informatori i policisë kriminale, Gerti Shehu, porositësit dhe organizatorët e këtij akti kriminal, Edi Rama dhe ministri i tij i familjes Bledi Çuçi, kanë vënë në lëvizje të gjithë makinerinë e mashtrimeve për të mbuluar aktin.

Për këtë qëllim ata po bëjnë gjithçka për të mbrojtur kriminelin Gerti Shehu, informator i policisë kriminale, dhe për ta çliruar atë nga barra e krimit të porositur duke e paraqitur si të sëmurë psiqik, dhe aktin e tij kriminal si veprën e një të sëmuri psiqik.

Por në këtë përpjekje ata janë të dështuar plotësisht.

Megjithë përpjekjet e Ardi Veliut për të manipuluar dhe falsifikuar çdo gjë, gjer sot nuk kanë paraqitur dot asnjë dokument zyrtar, asnjë vendim gjykate, se krimineli Gerti Shehu është i papërgjegjshëm apo i sëmurë psiqik i degraduar. Dokumenti që ata përdorin për të provuar problemet psiqike të kriminelit Gerti Shehu, sipas ligjeve të vendit nuk ka asnjë vlerë ligjore”, tha Garo.

Më tej ajo shtoi: “Një dokument i tillë është përdor kur Gerti Shehu është arrestuar nga policia me 2,5 gram kanabis, i futur për të hedhur në kurth shpërndarësit e drogës, apo kur është arrestuar për zënka për shkak të detyrës. Publikimi, thuajse fill pas krimit, i këtij dokumenti të gatshëm nga zyra e Fugës, dëshmon përpjekjen e dështuar të porositësve dhe organizatorëve, për të mbrojtur Gerti Shehun nga barra e krimit të porositur.

Përveç kësaj, përpjekjen për të maskuar dhe fshehur ideatorët dhe organizatorët e krimit të Gerti Shehut me probleme psiqike, e përgënjeshtron dhe hedh poshtë totalisht marrja pak muaj më parë e patentës, dokument që nuk u lëshohet në asnjë rast personave me probleme psiqike, dhe ndodh vetëm pas paraqitjes së ekspertizës së psikiatrit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë