Ka ndodhur

Qëlloi me armë ndaj fëmijëve pas sherrit të djalit, dorëzohet në polici 49-vjeçari

Gazeta Si – Sherri që ka pasur një 13-vjeçar me disa bashkëmoshatar të tij, është tentuar të zgjidhet me përdorimin e armës nga babai i të miturit.

Agron Mahmuti, 49 vjeç, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia, është vetëdorëzuar mëngjesin e të martës.

Ngjarja ka ndodhur në qendër të Shkodrës, ku 49-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë, është afruar pranë vendit të quajtur “Lapidari” ku po rrinin fëmijët.

Në një moment, ai ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre.

Burri ka shkuar të sqarojë një sherr që fëmijët kishin pasur me të birin, e më pas këta të fundit, sipas tij, e kanë ofenduar.

Debati mes 49-vjeçarit dhe fëmijëve, ka zgjatur mbi 10 minuta. Ky i fundit më pas ka goditur me qytën e pistoletës njërin prej tyre, ka shtënë me armë drejt tyre.

Për fat të mirë, plumbi ka prekur kondicionerin e një lokali në pjesën e vetratës, ndërkohë që ai është larguar.

Fatmirësisht fëmijët e kanë pikasur personin dhe janë larguar me shpejtësi, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe dyshohet se 49-vjeçari ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë