Gazeta Si – Julian Sulo, i njohur si “Juli i Pashakos” dhe i dyshuar si rival i grupit të Aldo Bares, i ka shpëtuar një atentati të ndodhur paraditen e kësaj të marte në lagjen “Misto Mame” të Lushnjës.
Sipas policisë, makina me të cilën udhëtonte 45-vjeçari, u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një mjet tjetër dhe për pasojë, Sulo mbeti i plagosur në këmbë.
Policia njofton se ai aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi mori ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pak minuta pas ngjarjes, në fshatin Lifaj është gjetur një automjet i djegur, i cili dyshohet se i përket autorëve.

Zona është rrethuar nga forca të shumta policie, ku sipas informacioneve paraprake, janë gjetur dhjetëra gëzhoja plumbash të shkepura nga armët e autorëve.
Julian Sulo, i njohur dhe si “Juli Pashakos” është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar dhe më parë, si i dyshuar në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por ndaj tij nuk u gjet asnjë provë dhe më pas ai u la i lirë.
Sulo ishte ndër të dyshuarit për atentatin në atë që cilësohet si “masakra e Lushnjës” në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldo Bares.
Ndërsa më 12 qershor të vitit 2016, Julian Sulo u plagos rëndë me thika nga Arian Alico dhe Xhino Alico, por në vendngjarje dyshohej se kishin qenë dhe nipi i Aldo Bares, Xhuljo Shkurti dhe Sajmo Xheliu. Edhe në vitin 2017, policia i ka sekuestruar 70 mijë euro, teksa i është konfiskuar edhe një apartament.
Në vitin 2018, ai u ndalua për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë, teksa udhëtonte me një makinë të blinduar.

Emri i “Julit të Pashakos”, del edhe në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, një ish-anëtar i grupit të Laert Haxhiut, rivalit të ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
Sipas tij, Julian Sulo, kishte marrë porosi nga Dubai për të vrarë Andrea Çaushin që njihet ndryshe si “Renato i Kalivaçit”.
“…Porosinë Juli e kishte marrë vetë por më pas ja kaloi, Laert Haxhiut…”, ka treguar i penduari i SPAK, Artan Tafani.
Porosinë për vrasje, më tej e mori Laert Haxhiu dhe njeriu që interesohej për të goditur Renato Çaushin, ishte një tjetër Renato nga Tepelena, i cili thirrej “Renato i Vogël” dhe aktualisht jeton në Dubai.
“…’Reno i vogël’ këtë ngjarje ia kishte kërkuar Julit të Pashakos për ta kryer. Reno mesa di unë Julin e ka shok. Gjithashtu Juli më parë kishte patur shoqëri të ngushtë edhe Renato Kalivaçit alias Andrea Çaushin, prandaj nuk e mori përsipër. Por ja ka dhënë si porosi Laertit, ndaj dhe ne filluam përgatitjet…”, ka treguar i penduari Artan Tafani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


