Filma

Që gjithçka të mos mbetet një shëtitje sipërfaqësore!

Luljeta Nelallari - As viktimë dhe as hero! Kështu shfaqet personazhi karizmatik Tommaso Buscetta përgjatë 145 minutave film në ambientet e Akademisë Marubi. Një histori e veçantë që vjen përmes dhunës, dramës, arrestimeve, thyerjes së kodit të heshtjes e që nxjerr në pah botën e nëndheshme siciliane të viteve ‘80. Një botë mafioze që mbajti të gozhduar personazhe të kinemasë dhe artdashës të ndryshëm në ambientet e Akademisë së Filmit. Historia fillon me arrestimin në Brazil dhe ekstradimin e Buscetta në Itali dhe vijon me miqësinë me gjyqtarin Falcone dhe bashkëpunimin me të. E teksa ndjek filmin dhe rrjedhën e tij, Buscetta të jep idenë e një njeriu të vendosur që kalon nëpër situata shumë të rrezikshme. Është pikërisht lufta mes krerëve të mafies siciliane në vitet ’80 për tregtimin e heroinës, një temë globale e që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me njeriun modern.

Filmi "Tradhtari"

Tommaso Buscetta, një njeri i dalë nga kjo luftë, arratiset për t’u fshehur në Brazil. Ndërkohë në vendin nga është larguar po lahen hesapet dhe ai ndjek nga larg sesi të bijtë dhe i vëllai vriten në Palermo, duke e ditur që mund t’i vijë radha atij.
Arrestimi i tij në Brazil dhe ekstradimi i tij në Itali nga policia braziliane, e bëjnë që të marrë një vendim që ndryshon gjithë rrjedhën. Ai vendos të takohet me gjyqtarin Giovanni Falcone dhe të tradhtojë betimin për besnikëri të përjetshme që ia ka bërë Cosa Nostra’s e më tej të kthehet në të penduarin e parë.

https://www.youtube.com/watch?v=7nvYMRpKzak&feature=youtu.be

“Tradhtari” me regji nga Marco Bellocchio ishte filmi që hapi edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili këtë vit vjen me temën “Injoranca vret”.
Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, një ndër ngjarjet kulturore më të rëndësishme në kryeqytet ngriti siparin mbrëmjen e së hënës nën praninë e personazheve të rëndësishëm nga bota e kulturës dhe jo vetëm.
Eventi, që e kthen Tiranën në një nga qendrat më të rëndësishme kinematografike në rajon përgjatë kësaj jave ka bërë bashkë regjisorë nga mbarë bota duke sjellë një larmi filmash, ku temë e këtij edicioni është “Injoranca vret”.

Ky edicion do të vijë për publikun përgjatë 6 ditëve në kryeqytet, ku artdashësit do të jenë në një shtegtim intensiv për të ndjekur filmat dhe dokumentarët. Do të jenë 46 filma të huaj dhe shqiptarë që kanë në qendër të drejtat e njeriut. Festivali startoi me filmin “The traitor”, film i 2019-s, i cili vjen me regji nga Marco Bellocchio, e protagonistë Pierfrancesco Favino, Maria Fernanda Candido, Fabrizio Ferracane, Luigi Lo Cascio, etj.
Tema “Injoranca vret”do të trajtohet edhe gjatë debateve dhe forumeve të Festivalit, por pse vjen pikërisht kjo temë në këtë edicion?
Drejtori ekzekutiv i Akademisë Marubi, kineasti Kujtim Çashku, shprehet për Gazetën Si se temat që ka pasur Festivali i Filmit ndër vite kanë një emërues të përbashkët, ata kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të drejtat e njeriut.
“Festival, i cili ndërtohet mbi një tematikë të caktuar, sivjet vjen me temën “Injoranca vret”. Vite më përpara kemi pasur emigracionin, korrupsionin, krimin e organizuar, pra është një festival që ngrihet mbi një tematikë. Këtë vit përse erdhi kjo temë? Mendojmë që pavarësisht nga të gjitha temat e ndara, ata kanë një emërues të përbashkët dhe emëruesi i tyre i përbashkët është se këto tema prekin dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me deklaratën universale të të drejtave të njeriut”, shprehet Çashku për Gazetën Si, duke theksuar më tej edhe fenomenet e injorancës, ku sipas tij një ndër ta është lidhja e njeriut modern me internetin.

Kujtim Çashku, Drejtori i Akademisë Marubi

“Kur thua ‘Injoranca vret’ neve menjëherë kuptojmë cilat janë fenomenet e injorancës në këtë që ne quajmë shoqëritë moderne të sotme, në planin global, pra në një plan shumë më të gjerë sesa vendi ynë dhe bota po përballet aktualisht me një fluks që në teoritë e komunikimit, të informimit dhe të formimit ka ndryshime shumë të mëdha. Do të thotë që njerëzit janë në një marrëdhënie permanente me atë që ne e quajmë bota e internetit. Pra, të gjithë ne sot kemi në xhepat tanë, në shtëpitë tona, në mjediset tona kudo që ne shkojmë një lidhje organike me atë që na vjen si informacion, si komunikim përmes imazhit apo përmes rreshtave të cilat ekzistojnë në botën e internetit, pra në njëfarë mënyre ky lloj ‘google’ ose më gjerë ky lloj interneti është bërë pjesë e gjithë sjellshmërisë, mënyrës së të menduarit dhe ndjeshmërive tona”, vijon Çashku.
Sipas Çashkut, ky fenomen që po përballet shoqëria e bën njeriun nga pikëpamja individuale më të izoluar.
“Por a ka ndonjë rrezik që kjo shëtitje të mbetet sipërfaqësore dhe duke qenë sipërfaqësore mund të na cenojë disa gjëra të cilat në fakt mund të na mos lejojnë që të depërtojmë thellë në një kulturë reflektimi, në një kulturë më vizionare sepse bota e internetit ta sjell në mënyrë të atypëratyshme gjënë. Kjo botë ka një fenomen që disi në pamjen virtuale njeriun e bën më social, por në pamjen individuale njeriu është më i izoluar, pra me të gjithë këto fenomene në një farë mënyre po përballet shoqëria dhe është në proces përballje”, vijon ai.
Një fenomen tjetër i injorancës sipas kineastit është përballja e botës me emigracionin.
“Fenomene të tjera që kanë të bëjnë me injorancën, p.sh bota ishte e papërgatitur që fillimi i shekullit XXI do ta gjente në një dyndje të madhe emigracionesh dhe po t’i shikojmë emigracionet në një sens më të gjerë jo vetëm në kontinentin europian, po dhe më gjerë, në popullata të ndryshme. E gjitha kjo shoqërinë njerëzore e gjeti të papërgatitur madje shoqëria reagoi në një mënyrë tjetër; p.sh u radikalizuan shoqëritë, pati fenomene të fondamentalizmit, racizmit, populizmit, u ngritën mure, tela, u rikthyem në një formë tjetër e cila në njëfarë mënyre na çoi në gjëra të cilat ishin gati-gati të paparashikuara se mund të sillnin këto fenomene dhe reagimet ishin të pakalkulueshme për të kuptuar se çfarë rreziku mund të na vijë nga një hap i mëtejshëm që ndodh prandaj dhe filmat që sjellin nga vende të ndryshme të botës koncentrojnë vëmendjen e shoqërisë moderne se si mund të marrim në formë të limituar dhe vizionare gjithë këtë botë, e cila po përplaset çdo ditë me mendjet dhe ndjesitë tona”, përfundon kineasti Çashku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë