Nga Liridon Mulaj– At Gjergj Fishta më në fund do të ketë shtëpinë e tij muze e cila tashmë nuk do të jetë vetëm një muze klasik i konceptuar për vizitore por edhe një rezidencë për shkrimtarë dhe poetë nga Shqipëria dhe Europa. E mobiluar dhe e konceptuar si një shtëpi pritjeje por dhe si qendër kulturore multifunksionale, ajo do të jetë në dispozicion të aktiviteteve kulturore të zonës e gjithashtu do të presë shkrimtarë dhe poetë të cilët do akomodohen aty në periudha të caktuara për të krijuar dhe shkruar veprat e tyre.
I shtrirë mbi një fushë të madhe rrethuar me kodrina, Fishta mbetet një ndër fshatrat më piktoresk të veriut të Shqipërisë. Është fshati ku ka lindur At Gjergj Fishta, por përpos këtij fakti në 20 vitet e fundit, emri i poetit kombëtar është shfrytëzuar kryesisht për emërtime restorantesh dhe agroturizmesh, duke e kaluar thuajse tërësisht jetën dhe veprën e tij në plan të dytë. Pas historisë jo të lavdishme të restaurimit të shtëpisë ku Fishta u rrit, dhe që qëndron e mbyllur për shkaqe pronësie, është vendosur të restaurohet shtëpia ku ai lindi dhe jetoi deri në moshën 6 vjeçare. Kjo shtëpi tashmë do jetë edhe qendra e fshatit e cila do të popullohet me krijues por edhe vizitorë të cilët do të kenë tjetër arsye thelbësore ta vizitojnë fshatin.

Blendi Gonxhja: Duhet të jemi të kujdesshëm të mos krijojmë qendra sterile por hapësira ku prodhohet art dhe debat
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i pranishëm në inaugurim thotë për Gazetasi.al se shtëpia muze e Fishtës e restauruar, tashmë i jep një identitet zonës që lidhet me veprën dhe kontributin e tij.
“Ne kemi një pasuri të pazbuluar mirë, që është historia në zonat që kanë qenë vendlindje dhe ku kanë jetuar figura të mëdha të kombit, ku një ndër ta është Fishta. E gjithë zona është konceptuar për të krijuar një identitet që lidhet me veprën e tij. Kjo nuk mund të realizohej më mirë se sa në një qendër e cila do të mbledhë artistë që krijojnë dhe shkruajnë, e gjithashtu do të njihen me korifenjtë e vendeve të ndryshme”.

Ai thekson se në menaxhimin e rezidencës do të përfshihen disa institucione por edhe organizata jofitimprurëse. Ndërkohë shton se administrimi i saj në vazhdim do të realizohet nëpërmjet thirrjeve që do të hapë ministria.
“Ministria do të hapë thirrjet për menaxhimin e shtëpisë muze të Fishtës dhe do të dëgjojë propozimet e rretheve të ndryshme artistike që lidhen me librin. Do të marrim edhe eksperienca të tjera që kemi studiuar dhe mendojmë se bashkë me Bashkinë, do të bëjmë një mbështetje shumë organike të projektit”, thotë Gonxhja, duke shtuar se ata që do ta menaxhojnë do të vendosin edhe për politikat e funksionimit të kësaj rezidence.
Duhet të jemi të kujdesshëm të mos krijojmë qendra sterile të cilat hapen dhe pastaj lihen ashtu, shpjegon Gonxhja i cili shton se qendra të tilla duhet të prodhojnë art e gjithashtu edhe debat mbi artin dhe letërsinë.

Frano Kulli: Një rezidencë moderne që do të sjellë shkrimtarët bashkëkohorë më pranë emrit dhe veprës së Fishtës
Frano Kulli, botuesi i veprës së Fishtës e gjithashtu një nga konsulentët pjesmarrës në ideimin e shtëpisë muze të Fishtës thotë se projekti i realizuar është befasues dhe tepër i nevojshëm.
“Unë kam qenë i ftuar për konsulencë letrare dhe jetëshkrimore të poetit bashkë me profesoreshë Lili Sulën. Jam i kënaqur qe ideja e projektuesve bashkuar me idenë tonë ka dhënë këtë rezultat, një hapësirë jo vetëm muzeale por dhe një objekt modern që do të sillte ide të reja në raportin e shkrimtarisë moderne me shkrimtarinë e traditës në funksionin e rezidencës letrare.
Ai thotë së ky është vetëm fillimi i një projekti i cili synon të nxjerrë në pah linjën e jetës dhe veprës së Fishtës duke nisur nga shtëpia e shoqatës “Bashkimi” e deri tek “Kisha e Rubikut” ku Fishta përveçse meshtar ka dhënë kontribut dhe në arkitekturën e saj.

“Ky projekt që është një gjurmë fondamentale e krijmtarisë dhe jetës së Fishtës kishte dhe koston më të lartë të ndërtimit, por uroj dhe besoj se investimi do të vijojë edhe në objekte të tjera ku Fishta ka gjurmët e tij. Një e tillë është edhe shtëpia e shoqatës “Bashkimi” ku Fishta është njëri nga anëtarët fondamental, e cila kërkon më pak shpenzime për restaurim. Ose pika të tjera që kërkojnë ndërhyrje në arkitekturën muzeale si Kisha e Rubikut ku ai ka pasë lidhje jo vetëm fetare por edhe arkitekturore. Pra pikat e tjera janë lehtësisht të realizueshme, mjafton të jetë kërkesa dhe ekzigjenca e enteve shtetërore të kulturës për ta ndjekur vijimin e projektit. Atëherë besoj se do ti dhurohet kulturës kombëtare një projekt ndoshta ndër më të mirët e traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore”, përfundon Kulli.
Në një lokacion ku prej vitesh ishte stomaku që orientonte destinacionin, pra kulinaria, tashmë kjo shtëpi muze e gjithashtu rezidencë, vetiu e sjell Fishtën në lupën dhe vëmendjen e shkrimtarëve të rinj dhe vizitorëve jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj duke rikthyer interesin për një nga figurat themelore të vetëdijes kombëtare, aty në vendlindjen e tij, ku deri dje, emri i tij thuajse gjithmonë asociohej me emra restorantesh, tavernash dhe agroturizmesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.