Futboll

Që atëherë kur Uzuni luante në llucë, fusha e Beratit ka mbetur njësoj

Myrto Uzuni, sulmuesi i Kombëtares është 100 % produkt i futbollit shqiptar, i fushave me baltë dhe me pak bar.

Sot golashënuesi më i mirë i kategorisë së dytë në Spanjë (La Liga 2) me 20 gola me Granadën e tij, që i ka çuar vlerën e kartonit në 8 milionë euro.

Pak ditë më parë ishte klubi i tij i parë në Shqipëri, “Tomori” i Beratit që kishte vendosur të krenohet me një foto të vjetër të një prej sulmuesve sot në kërkim nga disa klube europiane. Pavarësisht se në kohët kur luante atje, siç shprehet shpesh babai i tij, duhej qëndruar gjithmonë “pranë” stafeve teknike për ta aktivizuar sepse jo gjithmonë, sipas tyre e meritonte. Tjetër histori kjo.

Me një vlerë ‘zero’ para, pas 5 ndeshjesh dhe 2 golave në Kupën, ai u “rrëmbye” nga Apolonia e Fierit, që menjëherë ia vlerësoi kartonin në 150 mijë euro, por që në të vërtetë u shit për vetëm 20 mijë euro te Laçi, pasi Apolonia ra nga Kategoria Superiore në vitin 2017, teksa kishte shënuar 6 gola në 4 ndeshje që u aktivizua me fierakët.

Te Laçi ishte tjetër nivel , Kategoria Superiore apo pjesëmarrje në Kupat e Europës. Në 49 ndeshjet e aktivizuara me kurbinasit, ai shënoi 13 gola që e çuan djaloshin nga  Uznova e Beratit te Lokomotiva e Zagrebit për 425 mijë euro, dhe nga kjo transfertë jashtë Shqipërisë, përfituan vetëm klubet që ditën ta menaxhonin, Apolonia dhe Laçi, skuadra mëmë Tomori asgjë.

Nga Lokomitva e Zagrebit, Myrto u transferua në Hungari te Ferencvarosh për 1.8 milionë euro dhe një vit më pas në edicionin 2021/2022, beratasi u transferua te Granada për 3.5 milionë euro.

Beratasi u transferua te Granada për 3.5 milionë euro.

Nga kjo lëvizje e Uzunit do të përfitojnë financiarisht sërish Apolonia dhe Laçi, dy klubet shqiptare ku ka luajtur futbollisti para se të linte Superligën. Sipas rregullit, duke qenë se Uzuni ka luajtur me këto dy klube deri në moshën 23 vjeç, ato përfitojnë 3% të vlerës së transferimit të kartonit, rreth 90 mijë euro secila.

Me fanelën e Ferencvaroshit Uzuni ka shënuar 36 gola.

Sot në kuotën e 20 golave deri në mesin e kampionati, ku pritet që këtë shifër ta përmirësojë, Myro Uzuni kërkohet nga disa klube europiane, madje edhe në Premier League dhe me sa duket do të jetë sezoni i fundit i tij te Granada. Po me Tomorin, skuadrën që e stërviti, e rriti dhe i dha mundësitë e para, çfarë ndodh?

Fakeqësisht “Tomori” i Beratit endet thuajse në mesin e tabelës në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar (Kategoria e Dytë, siç quhej më parë), me të njëjtat probleme, pa pagesa, me futboll thjesht për pjesëmarrje pasioni të disa të rinjëve, për të mos thënë një pjesëmarrje fatkeqësisht për “hall”, pa asnjë kusht normal, me një fushë stërvitore jashtë çdo kushti teknik, pavarësisht se nga ky terren me baltë dhe llucë doli një lojtar që sot ka këtë vlerë 8 milionë euro, sa vlera e të 10 klubeve të Kategorisë sonë Superiore.

Gabimi disa qindra mijëra eurosh që përsëritet…

Biznesi është një fushë ekzakte e ekonomisë dhe nuk të duhet fat, por punë dhe dituri apo informacion, që sot për të thenë të vërtetën është i bollshëm. Vetëm 3 vite pas “gabimit” të largimit të Uzunit me kosto zero, “Tomori” i Beratit humbet po pa para një tjetër xhevahir, Enea Bitri që “rrëmbehet” nga Partizani po me kosto zero.

“Tomori” i Beratit humbet po pa para një tjetër xhevahir, Enea Bitri që “rrëmbehet” nga Partizani po me kosto zero.

Qendërmbrojtësi 1.92 m i gjatë, pas një stazhi huazimi te Kamza, nga Partizan, kalon te kryeqytetasit për gati 2 sezone dhe shitet për rreth 325 mijë euro (sipas Transfermrkt) te Astana në Azerbaixhan. Pas një sezoni atje kthehet me zero lekë te Partizani dhe sot ndodhet te Banik Ostrava për 150 mijë euro, në të dyja lëvizjet zero para për Tomorin e Beratit.

Nga dy lojtarët e saj në dekadën e fundit, të cilët sot, njëri vlen 8 milionë euro dhe tjetri 400 mijë euro sipas ‘Transfermarkt’, ekipit të “Tomorit” i kanë mbetur vetëm këto foto të publikuara, në të cilat, veç dy lojtarëve që kanë ikur, kanë mbetur thuajse njësoj edhe sot, fatkeqësisht në të njëjtën “llucë”!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë