Gazeta Si – Një tjetër futbollist i Kombëtares do të luajë në elitën e futbollit europian sezonin e ri. Qazim Laçi është ngjitur me Ajaçion e tij në Ligue 1, një nga 5 kampionatet më të fortë të Europës. Mesfushori kuqezi ka qenë protagonist këtë sezon.
Qazim Laçi ishte titullar në fitoren 1-0 të Ajaçio ndaj Tuluzës. Një fitore që mundësoi ngjitjen në elitën e futbollit francez. Sezonin e ardhshëm Laçi do të ketë mundësi të luajë ndaj yjeve të futbollit botëror, Mesi, Nejmar e me radhë.

Më parë në Francë ka lënë gjurmë të thella ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana. Ai ka luajtur me klube me emër, si PSG, Olimpiku i Marsejës dhe Nantë. Tani është radha e Qazim Laçit të jetë protagonist edhe në Ligue 1.
Futbollisti kuqezi, i formuar në Greqi, ka bërë një kampionat shumë të mirë. Ai e ka ndihmuar shumë skuadrën me lojë dhe gola për të arritur objektivin e sezonit. Sezoni i ardhshëm mund ta ndihmojë Laçin për ta rritur nivelin e tij. Ligue 1 mund të jetë një reklamë shumë e mirë për të.
Edhe në Kombëtaren shqiptare pritet që dibrani Qazim Laçi të jetë një lojtar i rëndësishëm. Trajneri Edi Reja e ka aktivizuar në disa ndeshje mesfushorin energjik.

Qazim Laçi është tashmë përfaqësuesi kuqezi në një nga pesë kampionatet më të forta të Europës, në Francë. Në Itali kuqezinjtë janë më të shumtë, në Spanjë dhe Angli po ashtu kemi lojtarë të Kombëtares.
I vetmi nga 5 kampionatet elitare eurpiane, ku mungojnë kuqezinjtë për momentin, është Bundesliga. Në Gjermani më parë kanë bërë emër Altin Lala, Altin Rraklli, Igli Tare, Ervin Skela dhe Fatmir Vata. Tani Kombëtarja jonë nuk ka asnjë ‘ambasador’ në këtë vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




