Nga Gazeta Si - Të luash me puzzle (një lojë që promovon përqendrimin dhe zhvillimin e aftësive njohëse) prej vitesh është një nga aktivitetet më edukative për fëmijët.
Ndonëse deri më tani puzzle që ka magjepsur familje nga e gjithë bota, duke lejuar të ndiqet një qëllim, ai i krijimit të figurës duke bashkuar pjesët, favorizonte zhvillimin e mendjes drejt lëndëve shkencore si matematika, inxhinieria dhe teknologjia, nëpërmjet aktivitetit “Njoh traditën dhe kulturën nëpërmjet lojës” do t’i shtohet edhe një dimension tjetër, ai që lidhet me trashëgiminë tonë kulturore, duke u dhënë mundësinë fëmijëve që të njohin copëza tradite.
“Njoh traditën dhe kulturën nëpërmjet lojës” erdhi si një ide e bukur e Mevlan Bajramit për të ndërthurur lojërat interaktive me identitetin kombëtar, pikërisht te fëmijët, atyre që janë e ardhmja e shoqërisë.
Ideatori i projektit, Mevlan Bajrami thotë për Gazetën “Si” se ky projekt ka si qëllim njohjen e fëmijëve me traditën dhe kulturën nëpërmjet lojës.
“Projekti ‘Njoh traditën dhe kulturën nëpërmjet lojës’ ka qëllimin e tij kryesor promovimin e historisë dhe kulturës shqiptare dhe brumosjen e identitetit kombëtar, në mënyrë të veçantë te moshat e vogla me anë të lojërave interaktive, figura formuese ose siç njihen ndryshe ‘puzzle’”, thotë Bajrami për Gazetën “Si”.
Duke pasur si synim rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë kulturore te fëmijët dhe të rinjtë, ky lloj i veçantë “puzzle”-i duket se do të përqafohet nga fëmijët e parashkollorit dhe nxënësit e 9-vjeçareve.
Konceptuar si një ide inovative e evolimit të formës së edukimit, projekti u realizua nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, e cila prej kohësh ka në politikat e saj promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë digjitale.
Bajrami thotë për Gazetën “Si” se për t’ua sjellë sa më afër fëmijëve trashëgiminë tonë kulturore, grupi i punës përzgjodhi pesë imazhe me elementë të ndryshëm të kulturës dhe historisë shqiptare si kostumografi, art, site kulturore dhe arkeologjike, muzikë, etj.
“Imazhet e përzgjedhura ishin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Motra Tone, Apolonia, Veshje Arbëreshe, Berati”, thotë ai, ndërsa shton se “për secilin prej këtyre imazheve u përgatit një informacion shpjegues i përmbledhur në gjuhën shqipe dhe atë angleze.
Ajo që Bajrami shpreson është që fëmijët të kenë interes për imazhet e përzgjedhura. Sipas tij, ky projekt synon t’i kthejë fëmijët edhe njëherë të zhyten në histori, art e kulturë, por jo përmes rreshtave të librave, por përmes lojës.
“Skënderbeu është një figurë shumë e dashur për fëmijët. Apo Apolonia, një vend që ngjall interes për formën arkitekturore të veçantë”, thotë Bajrami, duke i mëshuar faktit që duhet ta përçojmë sa më shumë traditën te brezat e rinj.
Organizatori thotë se ky aktivitet do të shërbejë si zanafillë për një fazë të mëtejshme ku synohet të kalohet në digjitalizimin e këtij kontenti duke krijuar aplikacionin e vet, i cili mund të shkarkohet në celular ose pajisje të tjera teknologjike për fëmijë dhe të rritur.
“Në aplikacion do të gërshetohet teknologjia, kultura dhe mësimdhënia. Ky mund të jetë edhe një instrument efektiv për mësimdhënie”.
Ai shton se më tej, pjesë e aktiviteteve të projektit mund të jetë edhe komercializimi i tij, pasi figurë-formuesja me imazhe të kulturës, historisë dhe traditës shqiptare mund të jetë një ide e mirë për dhurata edhe turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë.
“Për këtë qëllim, kutitë me figurë-formueset u shpërndanë në qendra të ndryshme kulturore”.
Bajrami thotë se e veçanta e këtyre aktiviteteve që priten të zgjerohen në të ardhmen është se bëhet fjalë për lojëra që nuk janë vetëm për kënaqësi, por edhe shumë të dobishme.
“Duke luajtur dhe plotësuar figurën ‘puzzle’ fëmijët dhe të rinjtë do të mbajnë mend format, ngjyrat, vendin dhe rrugën/mënyrën se si ta plotësojnë atë. Në këtë kontekst, ky projekt kontribuon në njohjen dhe memorizimin e elementëve të përzgjedhur të kulturës shqiptare nga të gjitha grup-moshat”, përfundon ai.
Ndonëse loja puzzle deri më tani ka shërbyer si një lojë e thjeshtë e argëtuese, me aktivitete të tilla do t’i orientojë fëmijët drejt një forme të re të të nxënit të dijes dhe duket se do përqafohet jo vetëm nga ta, por edhe nga prindërit e tyre...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.