Gazeta Si – “Rusia nuk ka nevojë për asgjë të huaj, por nuk do të heqë dorë nga ajo që është e saj”. Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Ria Novosti”, duke nënkuptuar se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga rajonet e pushtuara në Ukrainë, të cilat i konsideron si pjesë të Rusisë.
“Ne nuk kemi nevojë për asgjë që i përket të tjerëve, por ne nuk do të heqim dorë nga ajo që është e jona”, tha Putin.
Putin gjithashtu ka vënë në dukje se luftëtarët e Brigadës 810 janë aktualisht të angazhuar në operacione të rëndësishme ushtarake, duke çliruar “pjesë-pjesë” rajonin rus të Kurskut, i cili ka qenë skenë e një ofensive ukrainase që nga vera e kaluar.
“Brigada 810 është legjendare. Aktualisht, ata po luftojnë në një drejtim shumë të rëndësishëm në rajonin e Kurskut. Pavarësisht kushteve të vështira, ata po përparojnë dhe po kryejnë misione luftarake çdo ditë,” u shpreh presidenti rus.
Sipas tij, ushtarët rusë janë duke përmbushur detyra shumë të ndërlikuara dhe vazhdojnë të çlirojnë territoret ruse hap pas hapi.
“Në këtë moment, ata po luftojnë dhe po përmbushin misione të vështira luftarake, duke e çliruar tokën tonë çdo ditë”, përfundoi Putin.
Presidenti rus tha më pas se ka ende nga ata njerëz në botë që dëshirojnë të kthehen në kohën e pushtimit të Napoleonit dhe që kanë harruar se si përfundoi, shtoi ai.
“Ka ende disa që nuk mund të qëndrojnë të qetë, ka ende njerëz që duan të kthehen në kohën e Napoleonit, duke harruar se si përfundoi”, – tha Putin gjatë një takimi me stafin e fondacionit “Mbrojtësit e Atdheut”, të përfshirë në mbështetjen e trupave ruse në konfliktin në Ukrainë.
Me sa duket, është një përgjigje për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili në një fjalim televiziv mbrëmë tha se Rusia ishte një kërcënim për Francën dhe Evropën dhe propozoi përdorimin e “ombrellës bërthamore” të Parisit për të gjithë kontinentin.
“Gabimet e armiqve dhe kundërshtarëve të Rusisë”, kanë pasur gjithmonë të përbashkët “nënvlerësimin e karakterit të popullit rus”, – theksoi Putin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




