Bota

Putin: Plani i paqes i SHBA mund të jetë bazë për një ‘zgjidhje përfundimtare’

Vladimir Putin foli këtë pasdite në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia ka marrë planin 28-pikësh të paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se dokumenti mund të shërbejë si “bazë” për një marrëveshje përfundimtare paqësore.

Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Putin theksoi se, pavarësisht vlerësimit të tij pozitiv, permbajtja nuk po diskutohet në detaje me Rusinë.

“Plani mund të jetë baza e një zgjidhjeje të qëndrueshme, por aktualisht nuk ka bisedime të thelluara mbi të,” tha ai.

Putin gjithashtu bëri të ditur se propozimi i paqes i presidentit amerikan Donald Trump ishte diskutuar para takimit të tyre në Alaskë në gusht. Sipas tij, gjatë takimit në Anchorage, Rusia dhe SHBA ranë dakord për disa nga elementet kryesore të propozimit amerikan.

Gjatë fjalës së tij, presidenti rus deklaroi se Moska mbetet e gatshme për negociata paqeje. Megjithatë, ai theksoi se Rusia është njëkohësisht “e kënaqur me dinamikën aktuale të operacionit special ushtarak”, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të luftës nëse kushtet e negociatave nuk e kënaqin Kremlinin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë