Analize

Putin ndëshkon Greqinë duke e lënë jashtë gazsjellësit “TurkStream”

Rusia duket se ka ndëshkuar hapur Greqinë për dëbimin e dy diplomatëve rusë në korrik të vitit të kaluar, duke e përjashtuar nga gazsjellësi “TurkStream”, edhe pse Athinës i ishte premtuar në takime të ndryshme diplomatike se do të behej pjesë e këtij projekti gjigant energjetik që pritet të lidhë Rusinë, Ballkanin dhe Europën.

Ministri Rus i Energjisë Aleksandër Novak i dha një goditje të rëndë marrëdhënieve ruso-greke duke njoftuar se pjesa e dytë e tubacionit të TurkStream do të kalojë në Bullgari, Serbi dhe Hungari, por jo nga Greqia.

TurkStream është sponsorizuar nga Gazprom dhe do të furnizojë Europën me 31.5 miliardë metra kub gaz rus në vit. Me sa duket, për shmangur ligjet ndëshkuese të BE-së, gazsjellësi ruso-turk po kalon përmes Turqisë dhe do të përfundojë në kufirin turko-bullgar, ndërkohë që nuk është eliminuar mundësia që pjesa e dytë e tij mund të bashkohet më pas me gazsjellësin TAP. Edhe pse TurkStream është cilësuar nga ekspertët si një mjeti i Moskës për të rritur kontrollin mbi energjinë në Ballkan dhe Europën Juglindore, Greqia ka negociuar prej muajsh për pjesëmarrjen në këtë projekt.

Novak tha se pjesa e parë e tubacionit të gazit pritej të fillonte funksionimin në 1 Janar 2020, lajm i cili u njoftua tashmë edhe nga Gazprom. Por lajmi i vërtetë ishte lëvizja e Rusisë për zgjedhjen e Bullgarisë për kalimin e gazsjellësit dhe jo Greqisë.

Ky vendim vjen pasi përpjekjet sistematike për të bllokuar arritjen e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Maqedonisë, ndërhyrja në punët e brendshme të të dyja vendeve dhe rritja bashkëpunimit ushtarak me Turqinë, ka bërë që tensionet midis Athinës dhe Moskës të arrinin kulmin. Për herë të parë ish-kryeministri Alexis Tsipras ka paralajmëruar Presidentin rus, Vladimir Putin verën e kaluar mos të ndërhyjë në punët e brendshme të Greqisë.

Ndërtimi i TurkStream, Gazeta Si, 2 gusht 2019

Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Rusisë janë në pikën më të ulët, edhe pse kanë qenë tradicionalisht të ngrohta. Paralelisht, pas përjashtimit të Greqisë nga TurkStream, Rusia ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet me Turqinë, armiken e përhershme të Greqisë.

Ndërkohë, Turqia, e cila deri kohët e fundit shihej si aleatë e ngushtë e SHBA-së, ka ndërtuar tashmë tubacionin, i cili siguron 16 miliard metra kub gaz nga Rusia në vit. Ndërtimi i gazsjellësit vjen pas rritjes së bashkëpunimit ruso-turk në sektorin energjetik dhe pasqyron traditën e vjetër të Turqisë për balancimin e ndikimeve të huaja, një strategji e njohur që nga epoka osmane.

Tanimë si Turqia, ashtu edhe Rusia po e përdorin gazsjellësin për kërkimin e aleatëve të rinj, për shkak të izolimit nga Perëndimi. Për fatin e tyre të mirë “TurkStream” redukton ndjeshëm shanset e lojtarëve të tjerë në rajon, si Irani, Azerbajxhani ose shtetet e Gjirit apo Azisë Qendrore. Marrëveshja vjen në momentin e duhur për Turqinë, e cila po përpiqet të modernizojë sektorin e saj të energjisë për një çmim të volitshëm.

Erdogan po konsideron po ashtu edhe ndërtimin e centraleve bërthamore dhe tubacioneve të tjera të gazit, të udhëhequra nga Rusia, për të plotësuar kërkesën e popullsinë urbane për energji. Dhe gazi natyror përfaqëson një burim relativisht të lirë dhe të pastër energjie
“Turkstream” ka nisur ndërtimin në afërsi të Krimesë, por është një projekt politikisht i ndjeshëm pasi varet nga marrëdhëniet e Ankarasë dhe Moskës.

Vladimir Putin dhe Aleksis Tsipras, Gazeta Si, 2 gusht 2019

Ndërkohë, shumica e vendeve të Ballkanit janë furnizuar ekskluzivisht me gaz rus me të vetmen rrugë të mundshme: Ukrainën. Ashtu si Turqia, edhe vendet e rajonit duhet të modernizojnë sektorët e tyre të energjisë dhe të ndërtojnë burime të besueshme të energjisë së pastër.

Agjensia ruse “TASS” shkruan se furnizimet e gazit për Bullgarinë dhe Serbinë përmes “TurkStream” priten të fillojnë në vitin 2020, për Hungarinë në 2021 dhe për Sllovakinë për gjysmën e parë të 2022.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve për gaz natyror dhe energjisë bërthamore nga Rusia me Hungarinë, Republikën Çeke, Serbinë, Bullgarinë dhe Turqinë, duket se janë pritur me ankth nga Uashingtoni dhe Brukseli. Fakti që tani disa kombe të Ballkanit po përmirësojnë qartë marrëdhëniet e tyre ekonomike me Rusinë dhe me Turqinë tregon se Perëndimi ka filluar të humbasë terren.

Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungrarinë për sanksione, pasi projekti duket se është në kundërshtim me rregullat e BE-së.

"TurkStream” është projektuar për të furnizuar me gaz rus konsumatorët turq dhe ata europianë dhe është një nga temat e nxehta të debateve për sigurinë e energjisë në Europë. Në kuptimin e konotacioneve gjeopolitike, ai konsiderohet si “vëllai i vogël” i “Nord Stream”, gazsjellësit që lidh Rusinë me Gjermaninë. Ky tubacion po aq i diskutueshëm është projektuar për të përmbushur nevojat e Gjermanisë dhe vendeve anëtare të BE-së me gaz, por është kundërshtuar ashpër nga SHBA-ja.

Harta e TurkStream, 2 gusht 2019

“TurkStream” është marrë përsipër nga kompania “Gazprom” dhe do të përbëhet nga dy tubacione paralele që kalojnë përmes Detit të Zi. Ato u futën në det në bregun rus të Anapasit dhe dolën në bregdetin turk rreth 100 kilometra në perëndim të Stambollit, pranë fshatit Kiyikoy, në 30 prill të këtij vitit. Por nuk mbaron me kaq, sepse pjesa e dytë e tubacionit përfshin edhe Europën dhe Ballkanin. Nga Deti i Zi, gazsjellësi kalon në territorin europian të Turqisë, jo larg Bullgarisë dhe Greqisë.

Disa muaj më parë Sekretari Amerikan i Energjisë, Rick Perry u bëri thirrje Hungarisë dhe vendeve të tjera rajonit që të refuzojnë tubacionet e gazit rus, me arsyetimin se përdoren për të çimentuar kontrollin e Moskës në Europën Qendrore dhe Lindore.

“Diversifikimi i energjisë do të ishte vendimtar për rajonin, pasi Rusiae ka përdorur energjinë si armë në të kaluarën. Rusia po përdor një projektin Nord Stream 2 dhe “TurkishStream” për të forcuar kontrollin e saj mbi sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Qendrore dhe Lindore”, shtoi Perry gjatë një vizite në Budapest. “Shtetet e Bashkuara i kundërshtojnë me forcë këto projekte. Ne i bëjmë thirrje Hungarisë dhe fqinjëve të saj që të na bashkohen duke i hedhur poshtë”, tha Perry.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë