Nga Gazeta ‘Si’- Në një fjalë të gjatë në konferecën e fundvitit, presidenti rus Vladimir Putin tha se topi për përfundimin e luftë është në anën e Perëndimit.
Ai vlerësoi “përpjekjet serioze të Trump për të përfunduar këtë konflikt” dhe thotë se presidenti amerikan është “i sinqertë” në përpjekjen e tij për t’i dhënë fund luftës.
Putin pretendoi se Rusisë i është kërkuar të bëjë disa kompromise gjatë bisedimeve në Anchorage me Trumpin dhe se ajo ka rënë dakord gjerësisht me to ( nuk është plotësisht e qartë se çfarë nënkupton ai këtu) , kështu që “të thuash se ne hedhim poshtë çdo gjë është e papërshtatshme dhe e pabazuar”.
“Topi është tërësisht në fushën e të ashtuquajturve kundërshtarë tanë perëndimorë, shefit të regjimit të Kievit dhe… sponsorëve të tyre europianë”, thotë ai.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia mbetet e gatshme të negociojë për përfundimin e luftës në Ukrainë, bazuar në propozimet e paraqitura nga Moska gjatë vitit 2024, por theksoi se nuk sheh të njëjtën gatishmëri nga ana e Kievit, veçanërisht për çështjen territoriale.
“Rusia ende nuk e sheh gatishmërinë e Kievit për të diskutuar çështjen territoriale”, tha Putin.
Autoritetet ukrainase, sipas tij, po refuzojnë në thelb një zgjidhje paqësore të konfliktit. Megjithatë, ai pranoi se Moska ka vënë re disa sinjale që mund të tregojnë një hapje të kufizuar të Ukrainës ndaj dialogut.
“Megjithatë, ne shohim, dëgjojmë dhe jemi të vetëdijshëm për sinjale të caktuara, përfshirë ato nga regjimi i Kievit, që tregojnë se është gati të angazhohet në një formë dialogu. Ne jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm ta përfundojmë këtë konflikt në mënyrë paqësore, bazuar në parimet që i përshkrova qershorin e kaluar Ministrisë së Jashtme ruse dhe duke adresuar shkaqet rrënjësore që çuan në këtë krizë”, deklaroi më tej Putin.
Ai theksoi gjithashtu se forcat ruse po përparojnë përgjatë gjithë vijës së kontaktit, ndërsa trupat ukrainase po tërhiqen. Sipas tij, iniciativa strategjike në front i ka kaluar plotësisht ushtrisë ruse, veçanërisht pas, siç u shpreh ai, dëbimit të forcave kundërshtare nga territori i Kurskut.
“Trupat tona po përparojnë përgjatë gjithë vijës së kontaktit, në disa vende më shpejt, në të tjera më ngadalë, por në të gjitha drejtimet armiku po tërhiqet.”
Në lidhje me asetet ruse të ngrira nga Perëndimi, Putin e quajti këtë veprim një “grabitje”, duke paralajmëruar se Rusia do t’i ndjekë çështjet ligjërisht në gjykata ndërkombëtare për të mbrojtur interesat e saj. Ai shtoi se liderët evropianë nuk kanë arritur një marrëveshje për përdorimin e këtyre fondeve nga frika e pasojave ligjore.
Presidenti rus deklaroi se Moska është e gatshme ta përfundojë konfliktin në mënyrë paqësore, por vetëm mbi bazën e parimeve që, sipas tij, adresojnë shkaqet rrënjësore të krizës dhe garantojnë interesat strategjike të Rusisë.
Ai e quajti homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky “një aktor të talentuar” kur diskutoi incidentin në Kupyansk, një qytet në rajonin Kharkiv të Ukrainës, dhe foton e presidentit ukrainas para një obelisku me emrin “Kupyansk” që synonte të hidhte poshtë pushtimin
Putinit gjithashtu iu bë një pyetje në lidhje me perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve me NATO-n.
Ai u përgjigj me ankesën e tij të kahershme në lidhje me zgjerimin e aleancës drejt lindjes në 30 vitet e fundit, gjë që ai tha se ndodhi pavarësisht se Rusia mori garanci se nuk do të ndodhte.
Sipas tij, në praktikë kjo “përfshiu zhvendosjen e infrastrukturës ushtarake më afër kufirit tonë, gjë që shkakton shqetësimin tonë legjitim”.
Ai thotë edhe një herë se përfundimi i luftës në Ukrainë do të kërkonte zgjidhjen e “shkaqeve rrënjësore të konfliktit”, i cili – siç e dimë nga fjalimet e tij të mëparshme – përfshin disa kërkesa të gjera në lidhje me praninë e NATO-s në këtë pjesë të Evropës.
Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




