Gazeta Si – Vladimir Putin synon të forcojë bashkëpunimin ushtarak midis Rusisë dhe Kinës. Lideri i Kremlinit foli për këtë me homologun e tij Xi Jinping gjatë një video-konference, gjatë së cilës ai gjithashtu nënvizoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë “më të mirat ndonjëherë”.
Putini më pas përfundoi duke ftuar presidentin kinez në Moskë: “Nuk kam dyshime se do të gjejmë mundësinë të takohemi personalisht. Mezi presim t’ju shohim, i dashur president, i dashur mik, pranverën e ardhshme me një vizitë shtetërore”.
“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje për shkaqet, rrjedhën dhe logjikën e transformimit të vazhdueshëm të peizazhit gjeopolitik global, – vijoi Putin. -Përballë presionit dhe provokimeve të paprecedenta nga Perëndimi, ne mbrojmë qëndrimet tona parimore dhe mbrojmë jo vetëm interesat tona, por edhe të gjithë ata që mbrojnë një sistem të vërtetë demokratik dhe të drejtën e vendeve për të vendosur fatin e tyre”.
Udhëheqësi rus vuri në dukje gjithashtu një rritje rekord në tregti, pavarësisht nga “kushtet e pafavorshme të tregut”.
Putin tha gjithashtu se të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin midis forcave të tyre të armatosura: “Ne synojmë të forcojmë bashkëpunimin ushtarak dhe ushtarako-teknik me Kinën”.
Ndërkohë, më herët ushtria ruse bombardoi rajonin Kherson 81 herë, raportoi në Telegram Jaroslav Yanushevych, kreu i administratës ushtarake lokale, sipas agjencisë “Ukrinform”.
“Okupatorët rusë granatuan territorin e rajonit Kherson 81 herë. Armiku qëlloi mbi vendbanimet paqësore në të gjithë rajonin, duke përdorur artileri, sisteme MLR dhe mortaja”, – tha Yanushevych.
Sipas zyrtarit, qyteti i Kherson u sulmua 27 herë. Një dyqan, infrastruktura të ndryshme të ndjeshme, sipërmarrje industriale, si dhe një sërë banesash e blloqe banimi janë prekur.
Si pasojë e granatimeve ka mbetur i plagosur një civil. Më herët, dy persona u plagosën në një sulm që goditi një klinikë të sëmundjeve të zemrës në Kherson.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




