Bota

‘Putin flet mirë, por pastaj bombardon’! Trump: Raketa ‘Patriot’ në Ukrainë, faturat i paguan BE

“Putin thotë fjalë të mira, e më pas bombardon gjithçka në mbrëmje. Por kjo është problem dhe mua nuk më pëlqen”. Presidenti amerikan Donald Trump e ka kuptuar se të negociosh me Putinin për fundin e luftës, është mision i pamundur.

Teksa bën një konstatim të tillë, ai njofton se do t’i dërgojë Ukrainës armatime shumë të sofistikuara, përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore Patriot, të cilat siç thotë janë të nevojshme për të mbrojtur vendin në vazhdën e bombardimeve ruse.

Trump nuk e përcaktoi numrin e sistemeve Patriot që planifikon të dërgojë në Ukrainë, por tha se Shtetet e Bashkuara do të rimbursoheshin 100% për koston e tyre nga BE.

“Do të takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, por ne në thelb do t’u dërgojmë atyre pajisje të ndryshme ushtarake shumë të sofistikuara. Ata do të na paguajnë 100% për to”, tha Trump.

Plani përfshin blerje të armëve amerikane nga vendet europiane, të cilat do të shpërndahen më pas përmes NATO-s.

Për këtë çështje ndodhet sot në Uashington sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, që do të takohet me Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të përcaktuar detajet. Gjithashtu, në kryeqytetin amerikan ndodhet edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, për takime institucionale.

Këto zhvillime vijnë ndërsa Trump pritet të shpallë masa të reja ndaj Rusisë, që mund të përfshijnë sanksione të zgjeruara dhe ndihma shtesë për Ukrainën. Sipas tij, presidenti rus Putin nuk ka interes për negociata armëpushimi dhe synon fitoren ushtarake, duke injoruar edhe propozimet e mëparshme të Uashingtonit.

Përballë kësaj situate, Europa pritet të luajë rol kyç jo vetëm në mbështetjen ushtarake të Kievit, por edhe në ndarjen e kostove që SHBA-të refuzojnë të mbulojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë