Ne rrjet

Putin “i ngec” topin Donald Trump

Pas shtrëngimit të shkurtër të duarve dhe fotove të çastit në një moment dukshëm të sikletshëm për të dy Presidentët, Donald Trump dhe Vladimir Putin u mbyllën për më shumë se një orë në një takim kokë më kokë.

Takimi ishte vendosur të realizohej në Helsinki jo rastësisht. Pikërisht në këtë qytet në vitin 1975 u organizua takimi i Presidentit të atëhershëm amerikan, Gerald Ford dhe udhëheqësit sovjetik, Leonid Brezhnjev. Marrëveshja që rezultoi prej atij takimi përfaqëson një shkrirje të akujve mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist, në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Një dekadë e gjysmë më vonë, me perden e hekurt tashmë të rrëzuar, George H. W. Bush takohej me Mikhail Gorbachev po në Helsinki, pak përpara shembjes së Bashkimit Sovjetik. Brenda më pak se 10 vitesh ishte sërish ky qytet, që u kthye në skenën e përballjes së Bill Clintonit me Boris Yeltsin. Helsinki, në njëfarë mënyre përfaqëson një territor neutral për Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin, duke qenë se Finlanda nuk është pjesë e NATO-s.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të dy udhëheqësit folën sesi mund ta bëjnë botën një vend më të mirë e më të sigurtë. Folën për luftën kundër terrorizmit, sidomos në Siri, për çështjet mbi të cilat kanë ndasi të thella, si ajo e Krimesë dhe Ukrainës, por edhe për armët bërthamore.

Por, më shumë “bërthamor” ishte qëndrimi i njësuar i Donald Trump dhe Vladimir Putin sa u takon akuzave dhe dyshimeve për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Trump tha se kishte marrë garanci nga homologu rus se Moska nuk kishte gisht në to.

“Presidenti Putin këmbënguli në mohimin e tij se Rusia është e përfshirë në zgjedhjet amerikane”, tha Trump.

Takimit i paraprinë thirrjet në SHBA për ta bojkotuar atë, pasi hetimi i Robert Mueller të FBI nxorri në pah emrat e 12 oficerëve të inteligjencës ruse, që si të përfshirë në ndërhyrjen përmes hakimit të serverave të stafit të kandidates demokrate, Hillary Clinton, që pasoi më vonë publikimin e disa materialeve që goditën imazhin e saj.

Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Putin u shpreh i gatshëm që të lejojë hetuesit amerikanë të FBI-së për të marrë në pyetje oficerët në fjalë, por qartësoi se në këmbim do të kërkonte që Rusia të kishte të njëjtin akses tek personat e akuzuar nga Moska që strehohen në SHBA.

Për analistët ndërkombëtarë, takimi ishte një fitore e Putinit. Duke e intepretuar atë që nga fillimi, kur Putin e la Trump në pritje për 50 minuta e deri tek përqendrimi i konferencës për shtyp tek çështja e zgjedhjeve në SHBA dhe jo tek ndërhyrjet ruse në rajone të ndryshme të botës dhe të drejtat e njeriut.

Për më tepër, Trump u shfaq më i lumtur e i sigurtë me “garancinë gojore” të marrë nga Putin se Rusia nuk ka gisht në ndërhyrjen e zgjedhjeve në SHBA se sa nga provat që i paraqesin agjencitë ligjzbatuese amerikane në shtëpi. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e vazhdoi më tej, kur la të kuptohej se e mirëpriste propozimin e Putinit për përfshirjen e Rusisë në hetimin e FBI-së për zgjedhjet presidenciale të 2016.

Para takimit Trump postonte në Twitter një cicërimë ku nivelin e marrëdhënieve SHBA-Rusi e cilësonte më të ultin në histori, duke shpërfillur edhe përiudhën e Luftës së Ftohtë dhe krizës së raketave në Kubë, që për pak çoi botën në një luftë bërthamore. Por, në përfundim të dialogut me Putin, megjithëse nuk u firmos asgjë, tha se marrëdhëniet kanë ndryshuar.

Trump e Putin folën për një erë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe Presidenti amerikan iu referua bashkëpunimit ushtarak në Siri për të përcjellë idenë e tij. Në Siri, SHBA mbështet rebelët, ndërsa Rusia Presidentin Assad. Megjithatë, dy vendet kanë arritur që të shmangin përplasjen direkte mes njëra-tjetrës në këtë konflik, edhe pse kanë prani të konsiderueshme ushtarake.

Shmangia është realizuar falë një marrëveshje të hershme mes dy vendeve, që kanë vendosur një kanal komunikimi ushtarak, ku njoftojnë njëra-tjetrën për prezencën dhe operacionet që ndërmarrin, çka është interpretuar si një “lojë macja me miun”, që futi në një spirale pafund konfliktin sirian.

“Prej vitesh ushtarakët tanë shkojnë me njëri-tjetrin shumë herë më mirë se ne, madje edhe në Siri”, tha Trump.

Fjalët e Presidentit amerikan morën miratimin në heshtje të Vladimir Putin, që nga ana e tij foli për një zotim të përbashkët mes dy vendeve për të luftuar terrorizmin në jug të Sirisë.

Edhe përfundimi ishte një fitore e Putin. Presidenti rus u tregua i përmbajtur për ta vlerësuar takimin duke thënë se ishte “i vlefshëm dhe i sinqertë”, ndërsa Trump u nxitua duke e vlerësuar një “dialog thellësisht produktiv”. Megjithatë, Trump nuk doli krejt duarbosh: ai u largua me një top futbolli të Botërorit të sapombyllur, si dhuratë nga Vladimir Putinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë