Ngjarje

Pusia e gabuar…

“Hajde se na qëlluan”. I shtrirë në mes të rrugës në fshatin Poro, mes gjakut dhe gëzhojave, Eno Mata telefonoi bashkëfshatarin e tij E. Dila duke e njoftuar për atentatin. Aty krah tij, një i ri tjetër me të cilin Eno Mata po udhëtonte me motor, po jepte frymë mes gurëve dhe ferrave.

Vendi ku i gjet i plagosur Eno Mata

I rrëzuar nga motori i Matës dhe i shtrirë nga disa plumba në kurriz gjysmë i vdekur, 23-vjecari Sotiraq Mëhilli për shkak të plagëve të rënda nuk mundi të mbërrinte i gjallë në spital.

Vendi ku u vra Sotiraqi Mëhilli

Ai gjendej në momentin dhe në vendin e gabuar, ndërkohë që deri më tani hetuesit kanë arsye të besojnë se shënjestra e atentatit ishte Eno Mata, i cili pasi ra në grackën e vrasësve njoftoi me telefon njërin nga moshatarët e tij në fshat, me të cilin kishin qëndruar deri në mesnatë së bashku me djem të tjerë të fshatit Poro.

Hyrja në fshatin Poro

Banorët thonë se të rinjtë, edhe atë natë, qëndruan deri vonë në rrugicën mes shkollës dhe lokalit, ku shpesh pinin kafe, pasi ktheheshin nga punët e bujqësisë. Më pas ata janë ndarë. Eno Mata ka vazhduar rrugën me Sotiraq Mëhillin, pavarësisht se ky i fundit e kishte shtëpinë fare pranë. 30 metra më tej sapo kalon kryqëzimin dhe hyn në një rrugicë tjetër të fshatit, vrasësit ishin duke i pritur, pikërisht në mes të një kanali dhe shkurreve. Hetuesit besojnë se 23-vjecari po përcillte për në vendin ku strehohej Eno Matën, i cili ishte shprehur shpesh te banorët se plumbin e kishte pas veshit, por pa dhënë detaje. Kur shokët e tyre mbërritën, i gjetën dy trupat e të rinjve, njëri në çastet e fundit dhe tjetri që ishte zvarritur i plagosur për t’u fshehur. Por, prokuroria beson se vrasësit e kishin studiuar mirë vendin ku po prisnin për të qëlluar, pasi ajo ishte rruga e kthimit për në shtëpi e Eno Matës, një rrugicë e mbushur me shkurre dhe që del menjëherë në rrugën kryesore, e cila të kthen pas për në fshatin nga mbërrihet për në Poro. Pesë minuta me makinë përmes një rruge të drejtë e të asfaltuar, nën urën e fshatit Bishan, ndërsa lart është autostrada vrasësit dogjën makinën me të cilën kishin marrë pjesë në krim dhe u larguan.

Vendi ku u gjet e djegur makina e vrasësve në fshatin Bishan

Sotiraq Mëhilli, i vrarë
Sotiraq Mëhilli në fillim të muajit gusht bën 23 vjeç. I kishin thënë shpesh familjarët e tij “mos rri me Enon se ka probleme”. I ishin lutur, njësoj si disa të rinjve të tjerë që edhe atyre prindërit ua kujtonin shpesh jetën e trazuar të Eno Matës. Por, Sotiraqi ia kishte prerë shkurt edhe të ëmës “ç’punë kanë me mua, unë nuk kam problem”.

Sotiraq Mëhilli

Një vit pas vdekjes së të atit, Sotiraqi kishte marrë traktorin e të atit dhe nën gjurmët e tij punonte në fshat. Herë punonte tokat, herë korrte jonxhë, ose transportonte dru. Të dielën mblodhi dëngjet me bar te një banor, i cili e pagoi. U kthye i lodhur në shtëpi afër darkës, bëri dush dhe doli. E ëma e kujtoi për të ngrënë. Por, ai i tha më vonë dhe doli për kafe. Disa orë më vonë trupin e tij ia kthyen të pajetë së ëmës. Traktori dhe mjetet e tjera të punës kanë mbetur në hyrje të shtëpisë përdhese, ashtu si 23-vjeçari i la atë natë. Gratë po e qajnë në një dhomë, ndërsa i vëllai i ulur në shkallë pi duhan dhe ende e ka të vështirë ta besojë. Altion Mëhilli, emigrant prej vitesh në Itali, është kthyer për mortin e 23-vjeçarit.

Vëllai i Sotiraq Mëhillit

“Më telefonoi daja në telefon, – thotë nëpër dhëmbë, – më tha që është plagosur. E mora në telefon, nuk ma hapte. E kam marrë pa fund në telefon, nuk ma hapte. Mora mamin edhe ajo më tha që është plagosur e kanë dërguar në spital. Ata s’më treguan derisa e kuptova që ai nuk ishte gjallë, e parandjeva”. Altioni tregon për Sotiraqin sikur ai të ishte ende, shpjegon se ai donte të largohej në Gjermani dhe se i kishte thënë sa të mbyllte edhe punët e fundit të sezonit në fshat. Por, asnjëherë nuk i kishte shprehur shqetësim. Në fakt, nga dhoma e grave që e qajnë dëgjohet vaji i një gruaje që e vajton “ të thashë bir mos rri me të”. Por, i vëllai nuk pranon të shpjegojë se për çfarë bëhet fjalë. Madje, ai pohon menjëherë se edhe Eno ishte djalë fshati dhe djalë punëtor, një përshkrim që bëhet nga banorët sapo pyet për jetën e secilit prej dy të rinjve.

Shtëpia e Sotiraq Mëhillit

Në fakt …
Në fakt po të ulesh në kafene e të flasësh si në kafene, pra pa pyetje gazetareske, banorët fillojnë dhe rrëfejnë. Ata dinë se kur Eno Mata u kthye nga jashtë, u kishte treguar bashkëmoshatarëve të tij “se e kishte plumbin pas veshit”. Kjo frazë qarkullonte prej një viti. Ata e dinë që i riu, që ishte djali i dy mësuesve të dikurshëm të fshatit ka pasur mjaft probleme. “Në fillim kur erdhi, ai ruhej, nuk dilte”, tregon në mënyrë anonime një nga banorët. Pastaj dilte ndonjëherë sa për të blerë diçka për të ngrënë dhe futej në shtëpi. Vetëm muajin e fundit, diçka ndodhi dhe dilte lirshëm. Dilte me motorin e tij, por çdo prind që ka djalë në moshë delikate e porosiste që t’u qëndronte larg andrallave. Gazeta Si u interesua për të mësuar se ku jetonte Eno Mata, i cili familjen dhe të afërmit e ngushtë i ka emigrantë në Greqi dhe që kanë vite që nuk vijnë në Poro. Siç tregoi një banor, Eno Mata nuk jetonte në shtëpinë e tij, por në shtëpinë e një banori tjetër, që gjendet pikërisht në rrugicën ku ju ngrit edhe atentati.
Streha
Ajo është një shtëpi dykatëshe e verdhë. Jashtë saj një qen i zi nuk të lejon të afrohesh. Është shtëpia e fundit në atë rrugicë. Nëse pyet ku është strehuar Eno Mata, shumica ngrenë supet. Përgjigjen në Greqi.

Por nëse pyet ku e ka shtëpinë Kulle Leshi, pasi të vëzhgojnë një copë herë me vështrim, ta tregojnë me dorë. Nga brenda kësaj shtëpie s’përgjigjet askush. Në këtë vilë ka jetuar dhe është strehuar Eno Mata, aty ai është parë të rregullojë oborrin gjatë vitit të fundit. Kjo shtëpi i përket një gruaje të moshuar që quhet Kulle. Ajo i ka të gjithë fëmijët jashtë. Disa banorë besojnë që e moshuara e kishte marrë në shtëpi Eno Matën për ta ndihmuar për punët e përditshme të fshatit dhe si shpërblim i ka dhënë një strehë për të qëndruar. Disa besojnë se bujaria e gruas nuk është një rastësi, edhe pse në fshatin Poro të gjithë i njohin të gjithë, pasi sipas më të mëdhenjve, se jemi lindur e rritur këtu. Zonja Kulle, tregon një banor, në vitin 2006 ka humbur njërin nga djemtë në Greqi. Djali i saj, L. Lleshi, është vrarë gjatë një grabitjeje banke në këtë shtet, një ngjarje që banorët këmbëngulin se nuk ka shkak pse të dalë jashtë sekreteve të fshatit.
Eno Mata, i mbijetuari i atentatit
“I qetë, në punë të tij”, kështu e përshkruajnë bashkëfshatarët e tij, Eno Matën, pasi tundin kokën me hidhërim për djalin tjetër të fshatit Sotiraqin, që ishte 10 vjet më i vogël se Eno. Banorët e Poros këmbëngulim se nuk dinë asgjë për historitë e Greqisë, edhe pse është e vështirë për t’u besuar. Eno u kthye në fshatin e lindjes një vit më parë. U fliste të gjithëve, por ruhej nga diçka. “Diçka që nuk e dimë”, shton një banor. Por, në fakt Eno është kthyer në vendlindje nga ishte larguar në moshë të vogël një vit më parë. Kthimi i tij kishte lidhje me një grabitje në Greqi, të cilën mediat e përmendin, por banorët nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë. Eno Mata dyshohet për grabitjen e një argjendarie në Zografou Athinë, por edhe për vrasjen e avokatit Mihalesi Zafeiropoulos. Një ngjarje që i takon 2017-s ku ai përflitet nga shtypi grek për ekzekutimin e mbrojtësit të njohur së bashku me shokun e tij Mikel Brahimaj në 2017-n. Por, për këtë krim 32-vjeçari nga fshati Poro ka lënë një letër ku sqaron “se është një hajdut dhe jo një vrasës”. Pavarësisht të gjithave, prokuroria nuk e ka pyetur ende të plagosurin, pasi, siç shpjegon, grupi hetimor “janë ende në pritje të një versioni zyrtar nga autoritetet greke, të cilat nuk kanë sjellë asnjë shkresë nëse po e hetojnë për ndonjë krim të mundshëm të riun nga Poro që vetëquhet Maradona”. Derisa kjo shkresë të vijë, hetuesit po tentojnë të hedhin dritë mbi atentatin që i mori jetën 23-vjecarit dhe plagosi Eno Matën, duke gjurmuar një sërë provash, por edhe dëshmish nga banorët e zonës. Mes veprimeve është përfshirë edhe këqyrja në sistemin TIMS, nga ku rezulton se Eno Mata, ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në kufi, edhe kjo një njollë e errët që kërkon përgjigje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë