Apeli i GKKO-së, pushuar çështjen për sekuestrimin e pasurive të Altin Hajrit në Shijak, pas tërheqjes së ankimimit nga ana e SPAK.
Në fakt, SPAK ankimoi në Apelin e GJKKO vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë që rrëzoi kërkesën për konfiskimin e pasurive të Hajrit, por për arsye që nuk dihen hoqi dorë nga ankimimi. Mes pasurive të Altin Hajrit që rrezikonin të ekuestoheshin, është edhe resorti “Golden” në Shijak.
Vendimi është marrë këtë të premte, ku mes të tjerash thuhet se Kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi: “Pushimin e shqyrtimit të çështjes nr. 124 akti, datë 26.04.2021, regjistruar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm ndaj vendimit nr. 9/80, datë 12.03.2021 të gjykatës së Posaçme të shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak të heqjes dorë nga ankimi”.
Në fakt, “Golden Resort” ishte pasuria e parë e paluajtshme e sekuestruar nga OFL, pasi Hajri dhe familjarë të tij, u dyshuan për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës. Një akuzë që ende nuk është verifikuar ndaj tyre dhe ata s’kanë marrë dënim.
Altin Hajri dyshohet se ka rrëmbyer më 17 janar 2020, Jan Prengën në Kamëz, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke e dhunuar rëndë dhe më tej dyshohet se e kanë transportuar drejt kompleksit të dasmave në pronësi të tij, ku dyshohet edhe të ketë ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Trupi i tij ende nuk është gjetur nga policia edhe pe ka zhvilluar krkime në zona të ndryshme rreth Shijakut. Për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, u arrestua edhe babai i tij, Bajram Hajri, por ai u la i lirë në pranverën e vitit 2020. Aktualisht në burg ka mbetur vetëm kopshtari i kompleksit “Golden”, Festim Bizhhdili.
Altin Hajri u arrestua në janar 2020 me Gentian Doçajn, por u lanë të lirë në rrethana të paqarta me detyrim paraqitje. Ata u akuzuan për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Festim Bizhhdili, Olsi Turja, si dhe Ardian Doçaj.
Më herët, Altin Hajri ka qenë i akuzuar nga drejtësia italiane si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Në vitin 2015, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por 8 muaj më vonë, në vitin 2016, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke ia hequr emrin nga lista e personave të kërkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.