Niveli i punësimit gjatë tremujorit të fundit 2021, u rrit me 2.1% nga e njëjta periudhë e 2020-s, por nuk arriti të kalojë ende nivelet parapandemike.
Gjatë fundit të vitit 2021, raportohen 33 mijë më shumë të punësuar nga viti i pandemisë, por 10 mijë më pak nga 2019-a.
Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11.4%. Niveli i papunësisë u ul me 1.9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, ndërsa është rritur me 1%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Të rinjtë e papunësuar që janë studentë përbëjnë ende një pjesë të madhe të të papunëve. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72.1% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë, që në total janë 11.7%. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 9% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14. 7% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.
Në tremujorin e katërt 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, ishte 70.4%.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 63.2%, ndërsa për burrat ky tregues është 77.7%. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur me 0.5%.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53.9%. Ky tregues është rritur me 2.9% , krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0.4 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2021.
Punësimi u rritet në sektorët e industrisë me 7.5% dhe shërbimeve me 7.2%, por ra për bujqësinë.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, 17.7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune 15- 64 vjeç ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10.1% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11.2% në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të katërt 2021, 11.7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




